Xhudistet e reja të Kosovës kanë vazhduar të tregojnë potencialin e madh në arenën ndërkombëtare, duke siguruar dy medalje bronzi në Kampionatin Ballkanik U14 që u mbajt në Maqedoninë e Veriut.
Tri garuese 12-vjeçare, Qëndresa, Bora dhe Soreja, përfaqësuan Kosovën në këtë garë, ku secila zhvilloi nga pesë luftëra gjatë ditës.
Dy prej tyre arritën të ngjiten në podium duke fituar medaljet e bronzta, ndërsa garuesja e tretë e mbylli garën në pozitën e pestë, pas paraqitjeve të mira dhe premtuese.
Trajneri Driton Kuka vlerësoi paraqitjet e xhudisteve të reja, duke theksuar se ato dëshmuan edhe një herë se e ardhmja e xhudos kosovare mbetet e ndritur.
“Qëndresa, Bora e Soreja sot treguan që e ardhmja është e sigurt”, ka shkruar Kuka, duke shtuar se garuesit kosovarë në të gjitha grupmoshat po vazhdojnë të dëshmojnë se Kosova do të vazhdojë të korrë suksese në xhudo edhe në vitet e ardhshme”, ka shkruar Kuka.
Në këtë garë, sportistet u udhëhoqën nga trajneri Kushtrim Gashi, i cili ishte pranë tyre gjatë gjithë kompeticionit./Telegrafi/
