Ylli britaniko-shqiptar i muzikës, Dua Lipa, ka nisur festimet shumëditore të dasmës me aktorin britanik Callum Turner në Palermo të Sicilisë, ndërsa paraqitja e saj e parë ka bërë bujë të madhe në media dhe rrjete sociale.
Festimet u hapën me një koktej mirëseardhjeje për të ftuarit, i mbajtur në ambientet historike të Palazzo Valguarnera Gangi. Edhe pse Dua Lipa u shfaq me bizhuteri marramendëse me vlerë të vlerësuar rreth 700 mijë dollarë (rreth €645 mijë), ishte fustani i saj ai që “vodhi” gjithë vëmendjen.
Fustani që mori gjithë sytë
Për këtë mbrëmje, Dua zgjodhi një krijim nga Bottega Veneta: një fustan i bardhë, me shpinë të hapur dhe jakë të lartë, i shoqëruar me një fund të pasur të dekoruar me thekë dhe pupla, që i jepte pamjes një efekt shumë elegant, por edhe dramatik.
Sipas raportimeve, fustani ishte realizuar me teknikën karakteristike të shtëpisë së modës, “Intrecciato”, e njohur për thurjen e veçantë të lëkurës. Pamjen e kompletoi me çantën Andiamo, po nga e njëjta markë.
Bizhuteri “Bulgari” me vlerë të lartë
Si ambasadore e shtëpisë luksoze të bizhuterive Bulgari, Dua Lipa kishte veshur disa prej pjesëve më të shtrenjta të markës, duke e çuar vlerën totale të bizhuterive të saj në rreth 700 mijë dollarë (rreth €645 mijë).
Në mesin e tyre përmenden:
-Tubogas Manchette Watch, një orë e artë e dekoruar me citrine, rubelite, peridot, ametist, topaz dhe diamante, me vlerë mbi 200 mijë dollarë (rreth €184 mijë), e inspiruar nga një dizajn arkivor i vitit 1974.
-Serpenti Pallini Watch, një orë prej ari rozë në formë gjarpri, e zbukuruar me smeralde dhe diamante mbi 24 karatë, me vlerë gati 500 mijë dollarë (rreth €461 mijë).
-Po ashtu, ajo kishte veshur edhe një varëse nga koleksioni ikonik Serpenti, si dhe unazën e fejesës që ia kishte dhuruar Callum Turner.
Festa shumëditore në Sicili
Festimet po zhvillohen në disa prej lokacioneve më prestigjioze të Palermos dhe pritet të përfshijnë disa mbrëmje private, me të ftuar nga bota e muzikës dhe filmit. Raportohet se shpenzimet e kësaj feste shumëditore mund të arrijnë deri afër 2 milionë dollarë (rreth €1.84 milion).
Ndërkohë, Callum Turner u shfaq në koktejin mirëseardhës me një kostum elegant në ngjyrë bezhë, duke e kompletuar atmosferën “black-tie” të eventit. /Telegrafi/
