Përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën edhe këtë të shtunë në sheshin “Skënderbej”, nga ku marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ditën e 7-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura.
Me flamuj dhe pankarta në duar, pas marshimit në bulevard, protestuesit u ndalën para godinës së Kryeministrisë.
Ata bëjnë thirrje të ndryshme si: “Poshtë Komunizmi”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Dorëheqje, dorëheqje”.
Prej ditësh, qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar në kryeqytet ndërsa kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: dorëheqjen e kryeministrit; shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë; shfuqizimin e Paketës së Maleve; anulimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura; si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore./Euronews Albania
