Festimet treditore të dasmës së Dua Lipës dhe Callum Turner në Palermo të Siçilisë kanë nisur zyrtarisht, ndërsa këngëtarja ka tërhequr menjëherë vëmendjen me paraqitjen e saj të parë nga ceremonia luksoze.
Pas ceremonisë civile në Londër, ku u shfaq me një kostum të personalizuar Schiaparelli, Dua ka zgjedhur një stil krejtësisht ndryshe për festimet italiane.
Artistja u fotografua me një fustan të personalizuar nga Bottega Veneta, i realizuar në lëkurë dhe i zbukuruar me pupla të bardha struci.
Screenshot/Vogue
Modeli elegant kishte një dekolte të rrumbullakët, një pjesë të hapur në shpinë dhe detaje karakteristike të shtëpisë së modës italiane, ndërsa fundi në stil sirene ishte i mbuluar me pupla të bardha.
Pamjen e kompletoi me një çantë të vogël me pupla dhe bizhuteri ari nga Bulgari, shkruan Vogue.
Sa i përket grimit dhe flokëve, Dua zgjodhi një paraqitje natyrale me manikyr rozë transparent dhe flokët e gjatë të lëshuar.
Nga ana tjetër, Callum Turner u shfaq me një kostum lino ngjyrë bezhë dhe këmishë të bardhë nga Jacquemus, të kombinuara me syze dielli të zeza.
Çifti u pa duke mbërritur në pritjen e mirëseardhjes mes muzikës dhe vallëzimit, ku përshëndetën të ftuarit dhe shkëmbyen momente romantike para kamerave.
Në mesin e të ftuarve të njohur ishin Charli XCX, George Daniel, Troye Sivan, Joe Alwyn, Mark Ronson dhe Grace Gummer.
Ndërsa ceremonia kryesore ende nuk është zhvilluar, fansat dhe mediat e modës po presin me interes të shohin se çfarë do të zgjedhë Dua Lipa për paraqitjen e saj të nusërisë në ditën e madhe. /Telegrafi/
Screenshot/Vogue
