Një delegacion i përbërë nga drejtues të Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani dhe të Unionit Shqiptar të Futbollit në Zvicër është pritur në takim nga Ministri i Sportit, Blerim Gashani.
Gjatë takimit, kryetari i Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani, Afrim Osmanaj, prezantoi aktivitetet dhe angazhimin e federatës në bashkimin e klubeve shqiptare që veprojnë në të gjithë Gjermaninë.
Ai theksoi se federata përfaqëson mbi 40 klube shqiptare nga qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe se
“Futbolli nuk është vetëm garë sportive për ne. Ai është një mjet i rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës shqipe, kulturës sonë dhe lidhjeve ndërmjet brezave të rinj”, u shpreh Osmanaj.
Sipas tij, një nga arritjet më të rëndësishme është fakti që të rinjtë shqiptarë, përmes aktiviteteve sportive, njihen me njëri-tjetrin, krijojnë miqësi, komunikojnë në gjuhën shqipe dhe forcojnë lidhjet e tyre me Kosovën dhe kombin shqiptar.
Osmanaj bëri të ditur se misioni i federatës është bashkimi dhe fuqizimi i klubeve shqiptare, si dhe mbështetja e tyre për të avancuar në nivelet më të larta të futbollit gjerman.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe turneut tradicional të klubeve shqiptare në Gjermani, i cili këtë vit do të mbahet më 27 dhe 28 qershor në Frankfurt. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë mbi 30 klube shqiptare nga mbarë Gjermania.
“Ky aktivitet është shumë më tepër se një garë sportive. Ai është një festë e bashkimit, miqësisë dhe identitetit tonë kombëtar”, tha Osmanaj, duke shtuar se përmes turneut synohet forcimi i bashkëpunimit ndërmjet klubeve, krijimi i mundësive të reja për të rinjtë dhe promovimi i vlerave sportive e kulturore të shqiptarëve në diasporë.
Nga ana e tij, Enver Muzliukaj, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për aktivitetet sportive të diasporës. Ai potencoi se pret përkrahje edhe nga Ministria e Diasporës, në mënyrë që federatat dhe organizatat sportive shqiptare në diasporë ta kenë më të lehtë zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Ministri i Sporteve Blerim Gashani premtoi angazhim maksimal dhe po ashtu u dakordua që te vazhdohet me kontaktet edhe në Ministrinë e Jashtme përkatësisht departamentin e diasporës!
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe organizatave sportive shqiptare në diasporë, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe ruajtja e lidhjeve të tyre me atdheun.
Në fund të takimit, drejtuesit e federatave shqiptare ftuan ministrin Gashani që të marrë pjesë në turneun e sivjetmë në Frankfurt, duke theksuar se prania e tij do të ishte një nder i veçantë për organizatorët dhe pjesëmarrësit.
Në takim morën pjesë edhe Mustafë Bellaina, nënkryetar i Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani, Feti Demolli, kryetar i Unionit Shqiptar të Futbollit në Zvicër, si dhe Reshit Morina, nënkryetar, dhe Musli Saiti, sekretar i këtij unioni./Telegrafi/
