Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me projektin “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”, duke formalizuar, sipas tij, një partneritet për shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Në kumtesën për media të publikuar në Facebook, Bislimi ka bërë të ditur se Prishtina do të jetë nikoqire e njërit prej aktiviteteve qendrore të projektit më 2 korrik 2026, ku pritet të marrin pjesë zyrtarë institucionalë, kryetarë komunash, diplomatë, përfaqësues ushtarakë, akademikë, studentë, drejtues të shoqërisë civile dhe mysafirë nga SHBA-ja.
“Si kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina do të shërbejë si partner komunal qendror i kësaj nisme dhe do të jetë nikoqire e njërit prej aktiviteteve qendrore të projektit më 2 korrik 2026”, thuhet në kumtesë.
Sipas njoftimit, projekti synon të shënojë miqësinë Kosovë–SHBA dhe të vë në pah kontributin e Amerikës në lirinë, paqen, demokracinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Projekti… synon të kremtojë miqësinë e qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke vënë në pah kontributin historik të Amerikës në lirinë, paqen, demokracinë dhe shtetndërtimin e Kosovës”, thuhet në kumtesë.
Në reagim është cituar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se kryeqyteti është i nderuar të jetë partner kryesor i projektit America250 në Kosovë.
“Prishtina është e nderuar të shërbejë si partner kryesor i Projektit America250 në Kosovë dhe të ndihmojë në shënimin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Rama, sipas kumtesës.
Ai ka shtuar se kjo nismë, sipas tij, është një mundësi për të festuar lidhjen mes Kosovës dhe SHBA-së dhe për të riafirmuar përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë.
“Kjo nismë ofron një mundësi unike për të festuar lidhjen e qëndrueshme ndërmjet dy popujve tanë, duke riafirmuar njëkohësisht përkushtimin tonë të përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe partneritetit ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë Rama.
Bislimi, si themelues dhe drejtor i projektit America250 në Kosovë, e ka cilësuar partneritetin si mundësi historike, duke theksuar se ky përvjetor, sipas tij, është edhe rast për të shprehur mirënjohje ndaj SHBA-së.
“250-vjetori i Amerikës nuk është vetëm një festim i historisë amerikane — ai është gjithashtu një mundësi që qytetarët e Kosovës të shprehin mirënjohjen e tyre të thellë për një miqësi që ndihmoi në formësimin e rrugëtimit të kombit tonë drejt lirisë”, ka deklaruar Bislimi.
Në kumtesë thuhet se projekti “America Inspires Freedom – The Kosovo Story” po zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan si partner zyrtar programues i America250 dhe në koordinim me partnerë në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara, ndërsa aktivitete të tjera pritet të organizohen edhe në komuna të tjera të Kosovës. /Telegrafi/
