Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje për financimin e projekteve kapitale me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Bifurkacioni”, në vlerë prej 1 milion euro, me qëllim të përmirësimit të furnizimit me ujë dhe modernizimit të infrastrukturës ujore në rajonin e Ferizajt dhe Shtërpcës.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, ministrja Artane Rizvanolli ka thënë se marrëveshja parasheh financimin e dy projekteve infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Shtërpcë.
“Marrëveshja parasheh financimin e dy projekteve të rëndësishme infrastrukturore: ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit me kapacitet 35 litra në sekondë dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në komunën e Shtërpcës, në vlerë prej 520 mijë euro”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas ministrisë, projekti i dytë përfshin ndërrimin e gypit ekzistues nga fabrika e përpunimit të ujit në Pleshinë deri në qytetin e Ferizajt, në vlerë prej 480 mijë euro.
“Ndërrimi i gypit ekzistues nga fabrika e përpunimit të ujit në Pleshinë deri në qytetin e Ferizajt”, në vlerë prej 480 mijë euro, është pjesë e marrëveshjes, thuhet më tej.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se investimet synojnë rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët, reduktimin e humbjeve në rrjet dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit të ujësjellësit.
Sipas njoftimit, zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga Ministria e Ekonomisë përmes Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, ndërsa projektet do të realizohen nga KRU “Bifurkacioni” Sh.A., në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e transparencës dhe llogaridhënies.
Ministria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e investimeve strategjike në sektorin e ujit, me fokus përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës publike në vend. /Telegrafi/
