Madonna shkaktoi panik mes fansave gjatë një koncerti surprizë të Pride në Times Square, pasi u pa duke kryer një manovër të rrezikshme në skenën e ngritur disa kate mbi turmën e njerëzve.
Këngëtarja 67-vjeçare performonte në një event të organizuar nga Grindr, kur në një moment kaloi njërën këmbë mbi barrierën mbrojtëse transparente në skajin e skenës.
Pamjet e transmetimit të drejtpërdrejtë e treguan Madonnën të varur pjesërisht mbi kangjellë, duke lënë përshtypjen se po sfidonte lartësinë dhe sigurinë, shkruan DailyMail.
Reagimet në rrjetet sociale ishin të menjëhershme, me shumë fansa që pranuan se u frikësuan nga veprimi i artistes.
Disa komentuan se bërtitën nga ankthi, ndërsa të tjerë shkruan se momenti i kishte bërë jashtëzakonisht nervozë, nga frika se mund të ndodhte një aksident.
E veshur me një korse shumëngjyrëshe dhe çizme të gjata deri mbi kofshë, Madonna interpretoi disa këngë nga albumi i saj i ardhshëm Confessions II, përfshirë “I Feel So Free”, “Bring Your Love”, “Love Sensation” dhe hitin e njohur Hung Up.
Gjatë mbrëmjes, në skenë iu bashkua edhe producenti britanik Stuart Price, bashkëpunëtor i hershëm i artistes.
Pavarësisht tensionit që krijoi momenti pranë buzës së skenës, koncerti përfundoi pa incidente, ndërsa performanca e Madonnës u kthye menjëherë në një nga temat më të komentuara në rrjet. /Telegrafi/
