Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është arrestuar një person për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik dhe falsifikimi i dokumenteve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorimin dhe mashtrimin në një aktivitet prokurimi për furnizime me pajisje në Policinë e Kosovës, sot është arrestuar një (1) person”.
“Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari me inicialet N.R, po hetohet për veprat penale: Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik nga neni 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe Falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin në fuqi./Telegrafi/
