Në një operacion të madh ndërkombëtar policor, të udhëhequr nga Franca me mbështetjen e fortë të Spanjës dhe të Europol, është çmontuar një laborator shumë i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara në Alicante të Spanjës.
Operacioni, i realizuar më 27 maj, i dha një goditje të rëndë grupeve të krimit të organizuar që merren me kontrabandimin e migrantëve drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë aksionit u arrestua një person dhe u sekuestruan rreth 800 dokumente evropiane të falsifikuara, pajisje të avancuara për prodhimin e tyre, pajisje elektronike, automjete dhe para të gatshme.
Gjatë kontrollit të banesës së marrë me qira nën identitet të rremë, policia zbuloi një punishte ilegale plotësisht funksionale. Hetuesit thanë se objekti operonte në “nivel industrial”, duke treguar një trend të ri të grupeve kriminale që përdorin prodhimin masiv të dokumenteve të rreme për përfitime të mëdha financiare.
Dyshohet se i arrestuari menaxhonte një platformë të sofistikuar online përmes së cilës shiste dokumente identifikimi dhe dokumente administrative të falsifikuara, si në formë fizike ashtu edhe digjitale, për klientë në mbarë Evropën.
Sipas hetimeve, rrjeti lehtësonte drejtpërdrejt kontrabandimin e migrantëve duke furnizuar grupet kriminale me dokumente të rreme që përdoreshin për të shmangur kontrollet kufitare, për të siguruar në mënyrë mashtruese të drejtën e qëndrimit dhe për të lehtësuar lëvizjet brenda BE-së.
Hetimi nisi pasi autoritetet zbuluan një faqe interneti që reklamonte hapur dokumente të falsifikuara. Me ndihmën analitike të Europolit, autoritetet franceze dhe spanjolle arritën të lokalizonin të dyshuarin në Alicante, ku ai fshihej që nga viti 2024.
Autoritetet evropiane vlerësojnë se falsifikimi i dokumenteve është një nga faktorët kryesorë që nxit kontrabandimin e migrantëve dhe legalizimin e paligjshëm të qëndrimit në zonën Shengen, duke gjeneruar fitime milionëshe për rrjetet kriminale dhe duke rrezikuar sigurinë në mbarë Evropën. /Telegrafi/
