Mbrojtësi i Interit, Denzel Dumfries, ka reaguar ndaj raportimeve për një transferim të afërt te Real Madridi për 20 milionë euro.
Gjatë ditëve të fundit është folur për një marrëveshje trevjeçare të Dumfries me Real Madridin dhe tani mbrojtësi i krahut të djathtë ka komentuar situatën.
“Real Madrid? Jo, hajde tani, le ta mbajmë qetësinë. Ishte një bisedë shumë e këndshme”, tha fillimisht mbrojtësi holandez.
“Klauzola? Nuk mund të them asgjë për këtë. Koha ime te Interi më mbush me krenari”.
“Tani do të shkoj në Kupën e Botës me Holandën për të dhënë gjithçka. Jam i përqendruar vetëm në këtë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër më vonë”, përfundoi Dumfries.
Ndryshe, transferimi i Dumfries në Real Madrid do të bëhet zyrtar pasi Florentino Perez të fitojë zgjedhjet presidenciale këtë të diel.
Ndërkohë, Interi po përpiqet të nënshkruajë me Marco Palestra të Atlantës si zëvendësues të Dumfries. /Telegrafi/
