Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidati për kryeministër, Ardian Gjini, ka prezantuar vizionin e tij për reformimin e sistemit arsimor, duke theksuar nevojën për orientim të duhur të të rinjve dhe lidhjen e arsimit me sektorët me potencialin më të madh të zhvillimit ekonomik.
Përmes një postimi publik, Gjini tha se zhvillimi nuk arrihet pa një drejtim të qartë strategjik dhe pa mbështetje konkrete për rininë.
“Zhvillimi nuk vjen pa orientim të duhur, vjen me një vizion të qartë dhe mbështetje direkte për rininë tonë”, ka deklaruar ai.
Sipas Gjinit, plani i Aleancës synon reformimin e arsimit dhe krijimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë mes të rinjve dhe sektorëve që ofrojnë potencialin më të lartë për rritje ekonomike në Kosovë.
Ai theksoi se investimi në arsim dhe në zhvillimin profesional të të rinjve është kyç për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për forcimin e ekonomisë së vendit.
Gjini ka bërë të ditur se programi i Aleancës synon t’u ofrojë të rinjve më shumë mundësi për aftësim, punësim dhe zhvillim profesional, duke e konsideruar rininë si faktor kyç për të ardhmen e Kosovës. /Telegrafi/
