Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të financojë 14 projekte të përbashkëta kërkimore-shkencore ndërmjet Maqedonisë dhe Austrisë, të cilat do të realizohen në fusha që, sipas Strategjisë së Specializimit Inteligjent të shtetit, kanë potencial të madh zhvillimor – bujqësia inteligjente dhe ushqimi me vlerë të shtuar më të lartë, teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, industria elektromekanike-Industria 4.0, materialet e qëndrueshme dhe ndërtesat inteligjente, energjia e së ardhmes dhe turizmi.
Për secilin projekt veçmas do të ndahen nga 600 mijë denarë nga buxheti i shtetit, ndërsa afati i zbatimit është dy vite, duke filluar nga 1 korriku 2026. Marrëveshjet për financimin u nënshkruan sot nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe drejtuesit e projekteve.
Siç informoi Janevska në konferencën për shtyp, gjithsej 18 aplikime u dorëzuan në konkursin për përzgjedhjen e projekteve, por 14 prej tyre i plotësuan kushtet për financim.
“Konkursi u shpall në shtator të vitit të kaluar, në bazë të marrëveshjes ndërmjet qeverive të Maqedonisë dhe Austrisë për bashkëpunim shkencor dhe teknologjik, të nënshkruar në vitin 2008.Projektet e paraqitura janë hartuar përmes partneriteteve ndërmjet universiteteve shtetërore dhe private, instituteve shkencore publike dhe private, si dhe fakulteteve nga të dyja vendet. Pas recensimeve të kryera nga pala maqedonase dhe ajo austriake, u konstatua se 14 prej tyre i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u financuar”, theksoi Janevska.
Ministrja bëri të ditur gjithashtu se Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup është bartës i 9 prej projekteve të miratuara, 3 projekte i udhëheq Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, ndërsa nga një projekt kanë Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik – Shkup dhe Instituti privat për Objekte Ndërtimore Sizmike Rezistente dhe Ndryshime Klimatike – Shkup.
Sipas Klasifikimit të fushave dhe lëmive kërkimore-shkencore konform Klasifikimit Ndërkombëtar Frascati dhe Rregullores për përcaktimin e fushave kërkimore-shkencore të nivelit të tretë, gjithsej 6 projekte të përzgjedhura janë nga inxhinieria dhe teknologjia, 5 projekte janë nga shkencat matematiko-natyrore, dy nga shkencat bujqësore dhe veterinare, ndërsa një projekt është nga shkencat shoqërore.
“Kjo nuk është hera e parë që financohen projekte të këtij lloji, por për herë të parë në këtë konkurs i japim përparësi projekteve nga shkencat teknike, përkatësisht fushave që, siç e potencova, janë përcaktuar si prioritare për veprim në Strategjinë e Specializimit Intelegjent të shtetit, që do të thotë se aty është identifikuar potencial zhvillimor”, theksoi Janevska.
Duke i uruar drejtuesit e projekteve për mjetet financiare të përfituara, ministrja u uroi zbatim të suksesshëm dhe shprehu bindjen se Qeveria aktuale do të vazhdojë të ndjekë rrugën e shkencës, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat kryesore të përparimit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik. Siç tha ajo, buxheti për shkencën do të rritet, ndërsa me të edhe mbështetja për projekte të tilla.
