Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në prezantimin e ecurisë së hartimit të Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke e cilësuar projektin si ndër më të rëndësishmit për kujtesën historike, trashëgiminë kulturore dhe identitetin e vendit.
Duke folur në këtë prezantim, Kurti ka thënë se Prekazi zë një vend të posaçëm në kujtesën historike të popullit të Kosovës dhe se qëndresa e familjes Jashari është shndërruar në simbol të mbrojtjes së atdheut dhe përkushtimit ndaj lirisë.
“Qëndresa dhe sakrifica e familjes Jashari e shndërruan atë në simbol të mbrojtjes së atdheut dhe të përkushtimit ndaj lirisë, duke dëshmuar kësisoj se liria nuk është vetëm ideal politik, por edhe vlerë për të cilën flijohet gjithçka”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se trajtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, sipas tij, nuk është vetëm projekt planifikimi, konservimi apo muzealizimi, por detyrim institucional për ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat që vijnë.
“Trajtimi i Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’ nuk është vetëm një projekt i planifikimit hapësinor, i konservimit apo i muzealizimit, por një detyrim institucional për të ruajtur, dokumentuar dhe përcjellë me dinjitet këtë trashëgimi te brezat që vijnë pas nesh”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, që nga themelimi i Komitetit Ndërministror janë zhvilluar studimet e nevojshme, janë angazhuar ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe është organizuar konkursi ndërkombëtar për hartimin e Master Planit, me synimin që procesi të zhvillohet sipas standardeve më të larta profesionale.
Pas prezantimit të ecurisë, Kurti ka thënë se projekti po avancon sipas planit dinamik të kontratës dhe se gjatë këtij viti pritet të përfundojnë projektet e konservimit të Kullave të Rezistencës.
“Sipas planifikimit të paraparë, gjatë këtij viti pritet të përfundojnë projektet e konservimit të Kullave të Rezistencës. Kjo do t’i mundësojë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit që të iniciojë procedurat e prokurimit për zbatimin e këtyre projekteve”, ka thënë ai.
Në këtë prezantim kanë marrë pjesë edhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, si dhe përfaqësues të konsorciumit hartues, përfshirë arkitektin Eckhard Gerber dhe Thomas Lucking, bashkë me përfaqësues institucionalë dhe ekspertë.
Kurti ka deklaruar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për të siguruar kushtet e nevojshme institucionale, profesionale dhe financiare për përmbylljen e projektit “sipas standardeve më të larta teknike e profesionale”. /Telegrafi/
