Ish-ylli Belgjikës, Eden Hazard, ka ndarë parashikimet e tij për Kupën e Botës 2026, ndërsa shprehu gjithashtu shpresën për një turne të suksesshëm për ekipin e tij kombëtar.
Kampionati Botëror pritet të fillojë më 11 qershor dhe tashmë shumë parashikime po bëhen në lidhje se kush mund ta fitojë trofeun.
I fundit që i është bashkuar valles së parashikimeve është Hazard, i cili beson se trofeu do të fitohet nga ndonjëra prej kombëtareve të mëdha evropiane.
“Mendoj se Spanja ose Franca do ta fitojnë Kupën e Botës. Ose Anglia…”, ka thënë fillimisht Hazard.
“Shpresoj që Belgjika të shkaktojë një surprizë”, shtoi legjenda belge.
“Ndoshta Portugalia [do të fitojë], sepse ata drejtohen nga miku im i mirë Roberto Martinez”, përfundoi ish-ylli i Chelseat dhe Real Madridit.
Ndryshe, në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026, kombëtarja belge do të përballet me Egjiptin, Iranin dhe Zelandën e Re. /Telegrafi/
