Google ka prezantuar zyrtarisht një funksion të ri për zbulimin e thirrjeve të rreme brenda aplikacionit të tij “Phone by Google”.
Fillimisht, mashtruesit përdorin të ashtuquajturin spoofing, pra falsifikimin e numrit nga i cili vjen thirrja. Ata mund të imitojnë, për shembull, numrin e një familjari duke e bërë të duket sikur telefonata po vjen nga një kontakt i njohur.
Më pas, në lojë hyn teknologjia e inteligjencës artificiale (deepfake), e cila u mundëson mashtruesve të imitojnë zërin e një figure autoritare, një anëtari të familjes apo një punëdhënësi. Sipas të dhënave të Google, zërat e gjeneruar me AI janë bërë aq realistë sa shumica e njerëzve nuk mund t’i dallojnë më nga zëri i vërtetë i njeriut.
Si e zgjidh Google këtë problem?
Funksioni i ri i sigurisë vepron në sfond: nëse si ju ashtu edhe personi që ju telefonon përdorni aplikacionin zyrtar “Phone by Google”, telefonat komunikojnë në mënyrë të fshehtë për të verifikuar nëse thirrja është vërtet reale.
Ky verifikim bëhet përmes protokollit RCS me enkriptim “end-to-end”, që garanton privatësi të plotë.
Nëse mashtruesi përpiqet të paraqitet si një kontakt i njohur, sistemi nuk merr sinjalin e verifikimit dhe aplikacioni ju shfaq menjëherë një paralajmërim në ekran.
Në këtë mënyrë, përdoruesit mbrohen në kohë reale nga mashtrimet me thirrje dhe falsifikimi i numrave. Funksioni është i aktivizuar si parazgjedhje, por mund të çaktivizohet në cilësimet e aplikacionit.
Disponueshmëria
Funksioni i zbulimit të thirrjeve të rreme do të shpërndahet globalisht gjatë këtij muaji në të gjitha pajisjet Android që përdorin Android 12 ose më të ri.
Fillimisht, përditësimi do të vijë për telefonat Pixel të Google, ndërsa më pas për pajisjet e tjera Android.
Nëse telefoni juaj përdor një aplikacion tjetër për thirrje, mund ta instaloni “Phone by Google” nga Play Store dhe ta vendosni si aplikacionin e parazgjedhur për telefonata. /Telegrafi/
