Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Jordi Alba, ka rikujtuar një nga momentet më të vështira të karrierës së tij, eliminimin dramatik nga Liverpooli në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve gjatë sezonit 2018/19.
Alba pranoi se humbja 4-0 në “Anfield”, pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë, ishte nata më e keqe e karrierës së tij dhe një goditje e rëndë si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë personal.
“Nata më e keqe ishte ajo në Liverpool. Ajo fotografi që u publikua… nuk po qaja në pushimin mes pjesëve, thjesht nuk ndihesha mirë. Gabova te goli i parë. Kishim fituar 3-0 ndeshjen e parë dhe nuk duhej të na rrëshqiste nga duart një avantazh i tillë”, u shpreh Alba.
Ai është i bindur se Barcelona do ta kishte fituar trofeun nëse do të kishte arritur në finale.
“Jam i sigurt se po të kishim shkuar në finale, do ta kishim fituar Ligën e Kampionëve”, deklaroi ish-reprezentuesi spanjoll.
Alba zbuloi gjithashtu se eliminimi në “Anfield” pati ndikim të madh emocional tek ai, duke e bërë të izolohej për një periudhë të gjatë.
“Pas eliminimit në Liverpool, m’u desh shumë kohë që të dilja nga shtëpia. Ishte një periudhë shumë e vështirë, si për klubin ashtu edhe për mua”, përfundoi ai.
Përmbysja historike e Liverpoolit ndaj Barcelonës mbetet një nga ndeshjet më të paharrueshme në historinë e Ligës së Kampionëve dhe një nga zhgënjimet më të mëdha të klubit katalanas në arenën evropiane. /Telegrafi/
