Eurodeputeti i parlamentit grek, Fredi Beleri, ka reaguar së fundmi në lidhje me çështjen e Zvërnecit, teksa në një postim në rrjetet e tij sociale shkroi: “Fola rreth asaj që po ndodh në lidhje me Zvërnecin dhe me grekët e Epirit të Veriut”.
Ky reagim i tij ka ngjallur përgjigjen e kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili në një postim në rrjetet sociale, ku shprehet se termi Epir i Veriut ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta mbajnë gjallë.
“O zoti Eurodeputet Beleri, Zvërneci është në shtetin që quhet Shqipëri. Termi Epir i Veriut ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta mbajnë gjallë. Prandaj të lutem zbato emërtesat zyrtare që të kërkon Parlamenti Europian.
Sa i përket angazhimit të Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare të jeni të sigurt se këto për ne janë detyrime kushtetuese, ligjore dhe angazhime europiane.
Mos bëj politikë duke shtrembëruar fakte dhe historinë. E vazhdojmë në Strasburg muajin tjetër këtë diskutim për gjithçka bëjmë ne për pakicën shumë të respektuar greke në Shqipëri”, shkruan Balla. /Tch/
