Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, fizioterapisti Blend Bytyqi foli për lëndimet që ndodhin gjatë ushtrimeve në palestër dhe mënyrën se si duhet të menaxhohen ato.
Sipas tij, një nga keqkuptimet më të shpeshta te personat që lëndohen në fitnes është mendimi se duhet ta ndalin menjëherë aktivitetin fizik dhe të largohen plotësisht nga palestra.
Bytyqi tha se qëllimi i fizioterapisë nuk është ta ndalojë pacientin nga fitnesi, por ta ndihmojë të kthehet në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.
“Shumicën e rasteve, për neve nuk është misioni me ndalë fitnesin. Te na është misioni sa më shpejt me e kthy në fitnes pacientin”, u shpreh ai.
Fizioterapisti theksoi se palestra, kur bëhet në mënyrë të duhur, është një nga mënyrat më të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit.
Sipas tij, problemi nuk qëndron te fitnesi si aktivitet, por te mënyra se si ushtrohet, ngarkesa e gabuar dhe mungesa e një plani të përshtatshëm.
Bytyqi shpjegoi se edhe kur një person ka lëndim nga fitnesi, kjo nuk do të thotë se duhet të ndërpresë çdo ushtrim.
“Shumë njerëz mendojnë që kur e kanë një lëndim fitnesi dhe vijnë te fizioterapeuti, duhet me ndalë fitnesin. Kjo nuk është aspak e vërtetë”, tha ai.
Sipas tij, qasja e duhur është menaxhimi i ushtrimeve, jo ndalja totale e aktivitetit fizik.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com
