Boksieri shqiptar i peshave të rënda, Kristian Prenga, është i bindur se do të arrijë një nga fitoret më të mëdha të karrierës së tij kur më 25 korrik të përballet me ish-kampionin e dyfishtë të botës, Anthony Joshua, në Jeddah të Arabisë Saudite.
Gjatë konferencës për media të zhvilluar të hënën për promovimin e duelit, Prenga u shfaq plot vetëbesim, duke deklaruar se është gati të befasojë botën e boksit.
“Sinqerisht, kur trajneri më telefonoi dhe më tha se do të luftoja me Joshuan, nuk e besoja. Por i thashë menjëherë po, sepse është koha ime. E respektoj shumë si boksier, e kam ndjekur që nga fillimi i karrierës së tij dhe jam rritur duke e parë në ring”.
“Megjithatë, tani është momenti im. Në ring nuk kam respekt për askënd, as për babain tim. Po stërvitem më fort se kurrë, ndihem në formë të shkëlqyer dhe besoj se do ta shokoj botën”, deklaroi Prenga për “Ring Magazine”.
Boksieri shqiptar numëron 20 fitore dhe vetëm një humbje në karrierën profesioniste, ndërsa të gjitha fitoret i ka arritur me nokaut, statistikë që e bën një nga goditësit më të rrezikshëm në kategorinë e rëndë.
Nga ana tjetër, Joshua e sheh këtë duel si një hap të rëndësishëm përpara përballjes së shumëpritur me Tyson Furyn.
Britaniku zhvilloi meçin e fundit në dhjetor të vitit të kaluar, kur mposhti me nokaut në raundin e gjashtë Jake Paulin.
“Do të bëj atë që duhet të bëj. E respektoj si çdo kundërshtar tjetër, por e di saktësisht se çfarë kam për të bërë. Kjo është kategoria ime”, tha Joshua, i cili gjithashtu i kërkoi Prengës të japë maksimumin dhe të mos tregojë respekt në ring.
Prenga vjen në këtë përballje pas fitores së shpejtë ndaj amerikanit Joe Jones, të cilin e nokautoi në raundin e parë më 21 shkurt.
Ai debutoi në boksin profesionist në maj të vitit 2016 dhe tani ndodhet përballë sfidës më të madhe të karrierës së tij. /Telegrafi/
