Kombëtarja e Argjentinës ka zbuluar detaje nga baza e saj stërvitore dhe akomodimi për Kupën e Botës 2026, me vetëm pak ditë të mbetura deri në nisjen e turneut më të madh të futbollit.
Kampionët në fuqi të botës do të qëndrojnë në Kansas City, në shtetin e Missourit, një lokacion që është zgjedhur me kujdes për shkak të afërsisë me ndeshjet e fazës së grupeve, por edhe për shkak të kushteve moderne dhe faciliteteve të nivelit të lartë që ofron për skuadrën.
Federata Argjentinase e Futbollit publikoi pamje ekskluzive nga ambientet ku do të qëndrojnë lojtarët e Lionel Scalonit gjatë turneut, duke u dhënë tifozëve një vështrim nga afër të përgatitjeve për mbrojtjen e titullit botëror.
Një nga detajet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte fakti se kapiteni Lionel Messi do të ketë një dhomë private gjatë gjithë qëndrimit në Botëror, ndryshe nga shumica e lojtarëve që zakonisht ndajnë dhomën me bashkëlojtarët e tyre.
Në moshën 38-vjeçare, Messi duket i përqendruar maksimalisht për atë që pritet të jetë paraqitja e tij e fundit në një Kupë Bote.
Legjenda argjentinase synon të udhëheqë edhe një herë “Albicelesten” drejt suksesit, pas triumfit historik në Katar në vitin 2022.
Argjentina do ta nisë mbrojtjen e titullit me ambicie të mëdha, ndërsa sytë e botës do të jenë sërish te Messi dhe bashkëlojtarët e tij në përpjekjen për të shkruar një tjetër kapitull të artë në historinë e futbollit. /Telegrafi/
