Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar udhëzime të detajuara lidhur me votimin me asistencë, duke sqaruar kategoritë e qytetarëve që mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, mënyrën e realizimit të asistimit në vendvotim dhe kriteret që duhet t’i plotësojë personi që ofron ndihmë gjatë procesit të votimit.
Përmes një njoftimi publik, KQZ ka ftuar qytetarët të informohen mbi procedurat e votimit me asistencë, duke theksuar se ky mekanizëm është i paraparë vetëm për kategori të caktuara të votuesve.
“Informohuni se kush mund të votojë me asistencë, si dëshmohet e drejta për këtë lloj votimi dhe cilat janë kriteret që duhet t’i plotësojë personi që ofron asistencë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Sipas materialeve informuese të publikuara nga institucioni, asistimi në vendvotim vlen për votuesit me vështirësi në lëvizje, personat e verbër që përdorin alfabetin Braille, si dhe votuesit me pamje të dobësuar.
Personat me karrocë ose me vështirësi në lëvizje mund të shoqërohen deri te kabina e votimit nga një person ndihmës i zgjedhur prej tyre. Ndërkaq, votuesit e verbër që përdorin alfabetin Braille mund të votojnë në mënyrë të pavarur përmes shabllonëve të veçantë, ndërsa votuesve me pamje të dobësuar mund t’u ofrohet lupë për ta lexuar dhe plotësuar më lehtë fletëvotimin.
KQZ sqaron se votimi me asistencë lejohet për votuesit të cilët, për shkak të aftësisë së kufizuar, nuk mund ta shënojnë vetë fletëvotimin ose ta hedhin atë në kuti. Kjo gjendje duhet të dëshmohet me dokument mjekësor të lëshuar nga specialisti i fushës përkatëse ose me librezë të lëshuar nga institucioni kompetent.
Po ashtu, votim me asistencë mund të realizojnë edhe votuesit e verbër që nuk e përdorin alfabetin Braille, me kusht që aftësia e kufizuar të dëshmohet përmes dokumentacionit përkatës.
Sipas udhëzimeve, votuesi asistohet nga një person të cilin e zgjedh vetë, por vetëm nëse ai person është votues në të njëjtin qendër votimi. Personi ndihmës mund ta mbajë votuesin për dore, ta ndihmojë në shënimin e fletëvotimit sipas udhëzimeve të tij dhe, nëse është e nevojshme, ta ndihmojë edhe në hedhjen e fletëvotimit në kuti.
Megjithatë, KQZ ka paraparë disa kufizime të qarta për të parandaluar keqpërdorimet. Një person mund të asistojë vetëm një votues. Gjithashtu, asistuesi nuk mund të jetë kryesues apo anëtar i këshillit të vendvotimit, as vëzhgues i akredituar nga KQZ-ja.
Një tjetër kusht është se asistuesi duhet të jetë i regjistruar në të njëjtën qendër votimi me votuesin që ndihmon.
KQZ ka rikujtuar se, përveç rasteve të përcaktuara me ligj, asnjë kategori tjetër e votuesve nuk mund të përfshihet në votimin me asistencë.
“Votimi me asistencë nuk lejohet nëse aftësia e kufizuar nuk dëshmohet me dokument mjekësor”, theksohet në materialet informuese të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për procedurat e votimit, në mënyrë që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe standardet e përcaktuara.
