Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është gjithnjë e më pranë një rikthimi te Fenerbahçe, ndërsa negociatat për largimin e tij nga Mallorca po vazhdojnë me intensitet.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “Ultima Hora”, menaxheri i Muriqit, Utku Cenikli, ka udhëtuar të hënën në Mallorca për të zhvilluar takime me drejtuesit e klubit spanjoll, me synimin që të përshpejtohet procesi i transferimit gjatë afatit kalimtar të verës.
Raportohet se Cenikli do t’i kërkojë Mallorcas të pranojë një marrëveshje për shitjen e sulmuesit kosovar me një çmim të arsyeshëm, duke pasur parasysh dëshirën e lojtarit për të ndryshuar ambient pas rënies së skuadrës nga elita e futbollit spanjoll.
“Muriqi nuk planifikon të vazhdojë me Mallorcan në kategorinë e dytë. Menaxheri i tij po punon për të finalizuar një marrëveshje që do ta lehtësonte largimin drejt Fenerbahçes sa më shpejt të jetë e mundur, në interes të të gjitha palëve të përfshira”, shkruan “Ultima Hora”.
Sipas të njëjtit burim, Cenikli ka udhëtuar në Spanjë së bashku me një këshilltar të Aziz Yildirım, çka shihet si një sinjal tjetër i interesimit serioz të klubit turk për transferimin e Muriqit.
Drejtuesit e Mallorcas janë të vetëdijshëm për dëshirën e reprezentuesit kosovar për t’u larguar nga klubi këtë verë, por kërkojnë rreth 20 milionë euro për kartonin e tij.
Muriqi mbetet nën kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2029.
31-vjeçari ka lënë gjurmë gjatë periudhës së tij të parë te Fenerbahçe, ku me paraqitjet dhe golat e shënuar fitoi zemrat e tifozëve, duke e bërë rikthimin e tij një nga temat më të nxehta të afatit kalimtar. /Telegrafi/
