Më 7 qershor, Kosova shkon në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve.
Fushata është tashmë në lëvizje të plotë – me tubime, takime, fjalime – por përmbajtja e saj mbetet e kufizuar: më shumë akuza dhe kërkim përgjegjësish për atë që ka ndodhur, dhe më pak ide të reja për zgjidhje apo rrugë përpara.
Profesori Kolë Krasniqi ka vlerësuar se fushata aktuale zgjedhore po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ku sipas tij po mungon debati programor, ndërsa hapësira publike po dominohet nga sulmet dhe retorika agresive mes subjekteve politike.
Duke folur në emisionin “Five” në Dukagjini, Krasniqi tha se partitë politike janë fokusuar më shumë në diskreditimin e kundërshtarëve sesa në prezantimin e programeve konkrete për qytetarët.
“Nuk po shihet një debat i mirëfilltë programor. Krejt fushata është e orientuar nga një retorikë tejet agresive, ku kundërshtari natyrisht po demonizohet edhe në kuptimin e trajtimit si kundërshtar i shtetit dhe po fajësohet për çdo të keqe që e ka goditur Kosovën”, deklaroi Krasniqi.
Kolë Krasniqi
Sipas tij, kjo formë e komunikimit politik po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e ndasive shoqërore dhe po e thellon polarizimin politik në vend.
“Po ndikohet në polarizimin ekstrem të elektoratit, përkatësisht të krejt popullatës në Kosovë. Dhe kjo e dëmton mirëqenien popullore, mirëqenien e përgjithshme të popullit të Kosovës”, u shpreh ai.
Krasniqi theksoi se partitë politike nuk po i kushtojnë vëmendjen e duhur çështjeve strategjike që kanë ndikim afatgjatë në zhvillimin e shtetit, duke u fokusuar kryesisht në tema sociale me efekt afatshkurtër.
“Partitë politike nuk po orientohen kah çështjet thelbësore që ndikojnë në mirëqenien afatgjatë të qytetarit, por të gjitha partitë janë orientuar tek politika të ndryshme sociale, kryesisht afatshkurtra, sikurse pagat, subvencionet e ndryshme e të tjera. Jo tek çështjet si reformat në drejtësi, siguria juridike, integrimi në Bashkimin Evropian dhe zhvillimi industrial i vendit”, ka theksuar Krasniqi.
Ai shtoi se qasja konfrontuese e partive politike po reflektohet negativisht edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Kjo politikë konfrontuese po ndikon shumë negativisht dhe po reflektohet edhe te miqtë tanë ndërkombëtarë. Në mënyra të ndryshme, pa i dhënë vetes të drejtë të ndërhyjnë në fushatën zgjedhore, ata kanë bërë thirrje që të zbutet retorika agresive dhe të shmanget gjuha konfrontuese”, tha ai.
Sipas Krasniqit, mënyra se si po zhvillohet fushata po krijon përshtypjen e një përballjeje mes kampeve politike dhe jo të një gare që bazohet në programe dhe vizione qeverisëse.
“Kjo fushatë zgjedhore praktikisht po jep përshtypjen se jemi në prag të një referendumi, ku qytetarët duhet të përcaktohen jo për programe konkrete, por nëse janë me një parti apo me një bllok tjetër qeverisës”, u shpreh Krasniqi.
Në të njëjtin emision, analisti politik Muhamet Bytyqi vlerësoi se fushata aktuale po karakterizohet nga dy qasje të dallueshme politike, ku sipas tij pushteti po mbështetet në tema që krijojnë polarizim, ndërsa opozita po tenton të ofrojë alternativa përmes projekteve konkrete.
“Nga ajo që kam parë deri më tani, janë dy qasje. Qasja e pushtetit është e fokusuar tek polarizimi dhe temat që i entuziazmojnë njerëzit apo i prekin emocionalisht. Opozita e ka një qasje të fokusuar tek projektet dhe mobilizimi brenda strukturave të veta për të ofruar një mundësi ndryshimi të qeverisjes apo pushtetit në Kosovë”, deklaroi Bytyqi.
Muhamet Bytyqi
Ai tha se zgjedhjet aktuale dallojnë nga proceset e mëhershme për shkak të disa zhvillimeve të reja politike që mund të ndikojnë në orientimin e votuesve.
“Këto zgjedhje kanë disa faktorë të rinj. Vjosa Osmani ka qenë kontribuuese e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në PDK ka pasur ndryshime me përfshirjen e njerëzve të rinj dhe bashkëpunimin me Fatmir Limajn. Po ashtu, ka ndryshime edhe brenda AAK-së, ku Aleanca nuk identifikohet vetëm me Ramush Haradinajn dhe kjo mund të sjellë dinamika të reja”, tha ai.
Sipas Bytyqit, figurat e reja ose të rikthyera në skenën politike mund të ndikojnë në mobilizimin e elektoratit në komuna të caktuara.
“I bie që një pjesë e elektoratit të jetë më e mobilizuar sa i përket figurës së Ardian Gjinit, i cili ka një karrierë të bujshme si kryetar komune, ish-deputet dhe ish-ministër. Kanë ndodhur disa ndryshime, por është ende herët të flitet për ndikimin që do të kenë ato në rezultatin zgjedhor”, u shpreh ai.
Duke komentuar pjesëmarrjen e mundshme në votime, Bytyqi tha se dalja e qytetarëve në zgjedhje mund të jetë më e ulët krahasuar me procesin e mbajtur në dhjetor, duke përmendur faktorë sezonalë dhe migrimin e përkohshëm të qytetarëve.
“Pjesëmarrja mund të jetë më e ulët sesa në dhjetor. Një nga arsyet është se në fundvit ka pushime të zgjatura dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve ndodhen jashtë vendit. Megjithatë, mbetet të shihet se sa do të ndikojnë këta faktorë në daljen e votuesve në zgjedhje”, përfundoi Bytyqi.
Ndryshe, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote do të mund ta japin përgjigjen në fletëvotime, por për vëzhguesit ndërkombëtarë të zhvillimeve në Kosovë pritshmëria shkon përtej pjesëmarrjes në zgjedhje./Telegrafi/
