Aktorja e njohur nga Tropoja, Arjola Demiri, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bardhyl Hasanpapaj, i cili në listën zgjedhore garon me numrin 34.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demiri ka vlerësuar figurën e Hasanpapajt.
“Kosovës i duhen më shumë burra si ti. Burra me integritet, me vizion, me guxim dhe me përgjegjësi ndaj vendit dhe qytetarëve”, u shpreh ajo.
Tutje tha: “Jam krenare që të njoh prej afër dhe besoj se vlerat që përfaqëson janë ato që i duhen sot më shumë se kurrë Kosovës. Suksese në çdo hap të rrugëtimit tënd”.
Hasanpapaj ndërkohë është jurist dhe ligjërues universitar, me mbi 16 vite përvojë në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe reformave gjyqësore.
Për 11 vite ka ligjëruar të Drejtën Private Evropiane dhe të Drejtën e Bashkimit Evropian në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Në këtë garë synon të sjellë përvojën e tij profesionale dhe akademike në Kuvendin e Kosovës, me fokus tek sundimi i ligjit, drejtësia dhe reformat institucionale. /Telegrafi/
