Bashkimi Evropian vendosi të premten në Bruksel të zhbllokojë 16.4 miliardë euro fonde për Hungarinë, pasi qeveria e re e kryeministrit Peter Magyar realizoi një sërë reformash të shpejta në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe institucioneve demokratike.
Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se janë zhbllokuar 10 miliardë euro nga fondi evropian i rimëkëmbjes, 4.2 miliardë euro nga fondet e kohezionit dhe se është arritur përparim edhe për 2.2 miliardë euro të tjera që lidhen me liritë akademike.
Von der Leyen deklaroi se është arritur një kornizë e fortë për të siguruar që Hungaria të adresojë problemet e lidhura me korrupsionin dhe sundimin e ligjit, çështje për të cilat fondet ishin ngrirë gjatë qeverisjes së mëparshme të Viktor Orban, shkruan bbc.
Nga ana e tij, Magyar tha se zhbllokimi i fondeve ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së tij zgjedhore dhe akuzoi qeverinë e mëparshme se kishte mashtruar qytetarët hungarezë duke pretenduar se fondet ishin bllokuar për arsye ideologjike. Sipas tij, arsyeja e vërtetë ishte korrupsioni dhe problemet serioze me transparencën institucionale.
Marrëveshja konsiderohet si një sinjal i qartë i përmirësimit të marrëdhënieve mes Bashkimi Evropian dhe Hungarisë pas 16 viteve të qeverisjes së Orbanit. Zyrtarët evropianë kanë vlerësuar se qeveria e re ka vepruar me shpejtësi për të rikthyer besimin e Brukselit dhe për të përmbushur kushtet e vendosura për lirimin e fondeve.
Sipas planit aktual, fondet do të përdoren për rimëkëmbjen ekonomike, investime publike, mbështetje për bizneset, zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e shërbimeve publike në Hungari. /Telegrafi/
