Negociatorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Iranit kanë arritur një marrëveshje paraprake për një memorandum mirëkuptimi që do të zgjasë për 60 ditë, me qëllim të vazhdimit të armëpushimit dhe hapjes së një procesi të ri negociatash për programin bërthamor iranian, raporton mediumi amerikan Axios.
Sipas raportimit, marrëveshja është arritur në parim të martën dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm diplomatik mes dy vendeve, marrëdhëniet e të cilave kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të çështjeve të sigurisë, sanksioneve dhe programit bërthamor të Iranit.
Axios citon dy zyrtarë amerikanë dhe një burim rajonal, të cilët konfirmojnë se diskutimet kanë avancuar më shumë se në fazat e mëparshme të dialogut, shkruan skynews.
Zyrtarët amerikanë bëjnë të ditur se udhëheqësit e Iranit tashmë kanë dhënë miratimin e tyre për këtë marrëveshje paraprake, duke sinjalizuar gatishmëri për të vijuar procesin diplomatik dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në rajon.
Nga ana tjetër, negociatorët amerikanë e kanë informuar presidentin amerikan, Donald Trump mbi përmbajtjen e marrëveshjes dhe zhvillimet e fundit.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë menjëherë miratimin e tij, duke kërkuar disa ditë kohë për të shqyrtuar dokumentin dhe për të vlerësuar implikimet politike dhe strategjike të tij.
Marrëveshja e propozuar shihet si një përpjekje për të krijuar një kornizë të përkohshme stabiliteti, e cila mund të shërbejë si bazë për negociata më të gjera dhe më afatgjata mbi çështjen e programit bërthamor të Iranit, një nga temat më të ndjeshme në politikën ndërkombëtare të viteve të fundit. /Telegrafi/
