Edon Zhegrova nuk do të luajë në ndeshjet e qershorit, ndësa mbrojtësi Lumbardh Dellova është liruar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës për shkak të lëndimit të pësuar.
Dellova iu nënshtrua sot ekzaminimeve mjekësore nga stafi i Kombëtares së Kosovës, ku u konstatua se ka pësuar frakturë në shputën e këmbës.
Sipas vlerësimit mjekësor, periudha e rikuperimit do të jetë më e gjatë sesa kohëzgjatja e këtij kampi, prandaj ai është liruar nga grumbullimi. Dellova në ndeshjen e së hënës me klubin e tij, CSKA Sofia, kundër Ludogoretsit, e ka pësuar këtë dëmtim.
Ndërkohë, në këtë grumbullim nuk do t’i bashkohet as Edon Zhegrova, i cili do të mungojë për arsye personale, sipas FFK-së.
Federata ka bërë të ditur se nga data 28 maj, pjesë e kampit do të jetë Betim Fazliji, futbollist i skuadrës zvicerane St. Gallen, i cili rikthehet te “Dardanët” pas një mungese të gjatë.
Kosova do t’i vazhdojë nesër përgatitjet për ndeshjet miqësore ndaj Çekisë dhe Andorrës, ndërsa stërvitja e radhës do të mbahet në ora 11:30, në Kampin Nacional në Hajvali. /Telegrafi/
