Të besimit islam apo jo, festa e Kurban Bajramit është festë zyrtare shtetërore dhe duhet të vlejë për të gjithë qytetarët.
Por kjo s’u respektua as këtë të mërkurë në Komunën e Graçanicës, që banohet me shumicë nga komuniteti serb.
Këtu, procesi mësimor në shkollat që funksionojnë me sistemin paralel serb, u zhvillua si në ditët paraprake me orar të plotë.
Kjo ndryshe nga komunat tjera, në të cilat mësimi s’u mbajt.
Në ditë feste punoi edhe Posta në Graçanicë, e cila menaxhohet nga institucionet e Kosovës. Kjo e fundit ofroi shërbime për qytetarët të mërkurën.
Por për këtë e patën një sqarim.
Sipas menaxherit të pikës së postës këtu në Komunën e Graçanicës sot po punohet meqë kjo është një ndër pikat kryesore dhe do të kujdestarohet. I njëjti deklaroi se kështu po veprohet edhe në komuna tjera të Republikës së Kosovës.
Një njoftim të tillë zyrtar e bëri edhe vet Posta e Kosovës.
E, me mosrespektimin e vendimeve të institucioneve të Kosovës, sipas ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, komuniteti serb tenton të tregoj rezistencë.
“Kjo nuk është hera e parë që qytetarët, institucionet ku ndodhen në mesin me shumicën e komunitetit serb, nuk e respektojnë abuzojnë më të duke lënë përshtypje sikur ata bëjnë rezistencë në respektimin e institucioneve të Republikës së Kosovës sepse ato ende funksiojnë si të ndërlidhura me Serbinë”, ka theksuar ai.
Ferati tha se shteti i ka toleruar duke mos i ndëshkuar për shkak të ndjeshmërisë që ka situata me serbët.
“Deri tash është krijuar një tolerancë për shkak të situatës që kemi kalu në mënyrë që kjo të mos duket si një fanatizëm i institucioneve të Republikës së Kosovës apo si provokim si herë pas here çfare kanë ditë me paraqitë Bashkësia Ndërkombëtare”, ka deklaruar Ferati.
Ndërkohë, institucioni që respektoi festën zyrtare qe komuna e Graçanicës, e cila të mërkurën nuk ofroi shërbime.
