Evropa Perëndimore është përfshirë nga një valë ekstreme e të nxehtit që në fillim të verës, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima në Francë dhe duke sjellë temperatura rekord në disa vende të kontinentit, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Autoritetet franceze konfirmojnë se viktimat janë të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me temperaturat ekstreme.
Sipas zëdhënëses së qeverisë, disa prej rasteve kanë ndodhur gjatë aktiviteteve sportive dhe rekreative, përfshirë gara vrapimi dhe not në ujëra natyrore.
Mes viktimave raportohet edhe një grua që ndërroi jetë nga goditja e nxehtësisë në Lyon, si dhe një burrë 53-vjeçar që pësoi sulm në zemër gjatë një gare në Paris, shkruan TF1.
Në një tjetër ngjarje në periferi të Parisit, 16 persona janë hospitalizuar, prej të cilëve 10 ndodhen në gjendje kritike. Po ashtu, autoritetet raportojnë edhe raste mbytjesh, përfshirë të rinj, në zona rekreative ujore të mbipopulluara nga qytetarët që kërkonin freski.
Shërbimi meteorologjik francez “Météo France” njoftoi se janë regjistruar temperatura rekord për muajin maj, me deri në 37 gradë Celsius në disa rajone, ndërsa e hëna u shpall dita më e nxehtë e këtij muaji që nga fillimi i matjeve. Në të njëjtën kohë, në Londër janë shënuar 34.8 gradë Celsius, një vlerë e pazakontë për këtë periudhë të vitit.
Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të intensifikohet edhe në ditët në vijim. Sipas ekspertëve, fenomeni i njohur si “kupolë e nxehtësisë” ka bllokuar masa ajri të nxehtë mbi Evropë, duke penguar ftohjen natyrale të atmosferës.
Shkencëtarët theksojnë se valët e të nxehtit janë bërë dukshëm më të shpeshta në vitet e fundit dhe i lidhin këto ndryshime me krizën klimatike globale.
Autoritetet franceze kanë thirrur një mbledhje urgjente për të vlerësuar gatishmërinë e vendit për përballimin e emergjencave të lidhura me temperaturat ekstreme. /Telegrafi/
