Drejtuesit e Real Madridit – pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale – e kanë të qartë se skuadra ka nevojë për ndryshime të thella këtë verë.
Sipas AS, dy sezone pa trofe madhor, imazhi i dëmtuar, mungesa e disiplinës, tensionet e brendshme dhe rrjedhjet e vazhdueshme të informacionit nga dhoma e zhveshjes janë sinjale alarmi.
Por në “Santiago Bernabeu” e dinë edhe një gjë tjetër: rindërtimi do të jetë shumë i vështirë, sepse lojtarët nuk duan të largohen.
Kjo, sipas të njëjtit medium, është një “rregull” historik te Reali që vazhdon edhe sot. Kontratat janë të majme, pagat të larta dhe statusi i të luajturit me fanellën madrilene rrit vlerën e futbollistëve dhe sjell përfitime shtesë jashtë fushës. Për shumë lojtarë, të lësh Realin do të thotë të heqësh dorë nga një nga fanellat më prestigjioze në historinë e futbollit – prandaj vendimi për t’u larguar nuk merret lehtë.
Shembulli Ceballos: Kërkon minuta, por paga e mban në Madrid
AS e sjell si shembull verën e kaluar rastin e Dani Ceballos. Mesfushori kërkonte më shumë minuta dhe e dinte se nuk do të ishte titullar, përveç rasteve me shumë lëndime. Në verën e vitit 2025 ai kishte negociuar me Olympique Marseille, i cili – sipas raportimit – kishte arritur marrëveshje edhe me Realin për transferimin.
Megjithatë, në fund Ceballos u tërhoq dhe vendosi të qëndrojë, edhe pse sezonin e mbylli me vetëm 826 minuta. Burime pranë negociatave pretendojnë se vendimtare ishte paga: oferta e Marseilles, ndonëse e mirë, nuk e arrinte nivelin e kontratës që ai ka në Madrid (ku i kishte mbetur edhe një vit kontratë).
Këtë verë, largimi i Ceballos përshkruhet si pothuajse i pashmangshëm. Raportohet se trajneri Arbeloa e kishte lënë jashtë planeve, por e riktheu në raundin e fundit dhe i dha disa minuta – që mund të shihet edhe si një lloj “lamtumire”. Klubi synon ta lehtësojë transferimin, por lojtari duhet të gjejë destinacion të ri, ndërsa ëndrra e tij mbetet Betis. Edhe këtu, çështja financiare pritet të jetë përcaktuese.
Camavinga dhe të tjerët në listë, por jo në dalje
Në listën e futbollistëve që mund të preken nga ndryshimet përmendet edhe Eduardo Camavinga. Sezoni i tij vlerësohet jo i mirë dhe zhvillimi i tij në Madrid thuhet se ka ngecur, gjë që ka shkaktuar kritika edhe nga tifozët. Real Madrid besohet se mund të sigurojë ende një shitje të madhe, sepse francezi ruan reputacion në treg – por rrethi i lojtarit, sipas AS, ka bërë të ditur se ai nuk ka ndërmend të largohet dhe nuk do ta “lehtësojë” një transferim.
Situata e “rezistencës” ndaj largimit përshkruhet si e ngjashme edhe me disa emra të tjerë. Andriy Lunin kishte refuzuar të largohej edhe në vitin 2023, kur klubi sipas raportimeve kishte gati një zëvendësim. Fran García mund të kërkojë dalje për shkak të konkurrencës së fortë në krahun e majtë, ndërsa Brahim Díaz, edhe pse jo gjithmonë me minuta të garantuara, nuk ka shfaqur interes për t’u larguar.
Në planin e lojtarëve të rinj, AS shkruan se Franco Mastantuono nuk bindi në vitin e parë dhe mund t’i kërkohet të shkojë në huazim, ndërsa Gonzalo dëshiron të largohet, por klubi nuk synon ta humbasë plotësisht kontrollin, ndaj mund të ruajë një përqindje nga transferimi ose një opsion riblerjeje.
Problemi i shitjeve, Reali nuk ka qenë “shitës” i madh së fundi
Një tjetër sfidë e madhe për “revolucionin” veror është fakti se Real Madridi nuk ka qenë klub që shet shumë në vitet e fundit. Sipas AS, shitja e fundit vërtet e madhe ishte në verën e 2022, kur Casemiro u transferua te Manchester United për rreth 70 milionë euro.
Përpara tij pati disa lëvizje të rëndësishme si Varane te Man United dhe Odegaard te Arsenali (rreth 40 milionë secili), si dhe Achraf Hakimi te Interi (43 milionë).
Kjo, megjithatë, nuk krahasohet me periudhat kur Real Madridi shiste masivisht dhe gjeneronte të ardhura të mëdha për rindërtim – një politikë që, siç kujton AS, i dha edhe sukses klubit, duke pasur parasysh se në vitet e fundit u fituan edhe trofe të mëdhenj.
Në të kaluarën u shitën emra të rëndësishëm si Cristiano Ronaldo, Di María, Özil, Higuaín, Morata e të tjerë, duke e bërë Realin një nga “shitësit” më të fortë të tregut.
Tani, madrilenët e duan një rifreskim të madh – por për ta bërë, duhet së pari të bindin lojtarët të pranojnë të largohen. Dhe kjo, sipas AS, mund të jetë beteja më e vështirë e verës në “Bernabeu”. /Telegrafi/
