Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Inspektorati i kësaj ministrie ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 5 mijë euro ndaj Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Prishtinës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit në deponinë e inerteve në Matiqan, në kundërshtim me dispozitat ligjore për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit.
Në një postim në Facebook, Pacolli tha se inspektorati ka konstatuar se në këtë hapësirë janë kryer punime dhe depozitime të materialeve inerte pa përmbushjen e obligimeve ligjore dhe pa dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë lejen ujore dhe procedurat përkatëse.
“Inspektorati ka konstatuar se në këtë hapësirë janë zhvilluar punime dhe depozitime të materialeve inerte pa përmbushjen e obligimeve ligjore dhe pa dokumentacionin e nevojshëm për leje ujore dhe procedura të tjera përkatëse”, ka shkruar Pacolli.
Sipas saj, aktiviteti ka vazhduar edhe përkundër vendimeve dhe urdhrave të mëhershëm të inspektoratit.
“Përkundër vendimeve dhe urdhrave të mëhershëm të inspektoratit, aktiviteti ka vazhduar”, thuhet në postim.
Ministrja theksoi se mbrojtja e mjedisit dhe e pasurive ujore është obligim ligjor për secilin nivel të qeverisjes, duke shtuar se do të vazhdojë të mbështesë veprimet inspektuese dhe zbatimin e ligjit.
“Si Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdoj të mbështes veprimet e inspektoratit dhe zbatimin e ligjit pa dallim, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit dhe interesit publik”, ka shkruar Pacolli. /Telegrafi/
