Gjithnjë e më shumë po tërhiqet vëmendja për të ashtuquajturin “kolesteroli remnant”, i cili mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për sulm në zemër dhe tru, madje edhe te personat me LDL brenda vlerave normale
Për dekada me radhë, në mjekësi është folur kryesisht për kolesterolin “e mirë” dhe “të keq”: HDL dhe LDL. Megjithatë, shkencëtarët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje edhe një lloji tjetër të yndyrës në gjak, të njohur si “kolesteroli remnant”, për të cilin disa studime tregojnë se mund të jetë edhe më i rrezikshëm për shëndetin kardiovaskular.
Sipas profesorit Steve Humphries nga University College London, ndarja tradicionale në kolesterol “të mirë” dhe “të keq” nuk është më e mjaftueshme.
“E gjithë ideja se HDL është kolesterol ‘i mirë’ në fakt është interpretim jo plotësisht i saktë i të dhënave. HDL është më shumë neutral: nuk na dëmton, por as nuk na ndihmon shumë”, deklaroi Humphries për BBC Science Focus, transmeton RTS.
Ai shton se shumica e njerëzve nuk e dinë që, përveç LDL-së, ekziston një grup i tërë grimcash të tjera që gjithashtu mund t’i dëmtojnë enët e gjakut, transmeton Telegrafi.
Çfarë është kolesteroli remnant?
Kolesteroli remnant përfaqëson sasinë e kolesterolit që mbetet në gjak pasi nga kolesteroli total zbriten vlerat e HDL-së dhe LDL-së.
Shkencëtarët e lidhin atë me grimca të pasura me trigliceride, të cilat mund të grumbullohen në muret e arterieve dhe të kontribuojnë në zhvillimin e aterosklerozës.
“Ky kolesterol remnant mund të jetë edhe më i dëmshëm kur bëhet fjalë për sëmundjet aterosklerotike kardiovaskulare”, tha Humphries.
Studimet tregojnë se personat me nivele të larta të këtij kolesteroli kanë rrezik më të madh për infarkt dhe goditje në tru, edhe nëse LDL-ja e tyre është brenda kufijve normalë.
Në një analizë të madhe, shkencëtarët nga Johns Hopkins Medicine deklaruan se personat me kolesterol remnant të rritur mund të kenë 40 deri në 50 për qind rrezik më të lartë për probleme serioze kardiovaskulare.
Problemi është më i shprehur te mbipesha
Sipas ekspertëve, problemi është veçanërisht i theksuar te personat me mbipeshë ose obezitet.
“Shumica e njerëzve kanë problem me LDL kolesterolin. Por nëse bëheni obezë, atëherë pothuajse me siguri keni problem edhe me kolesterolin remnant”, paralajmëroi Humphries.
Shkencëtarët theksojnë se tashmë po testohen barna që synojnë uljen specifike të këtij lloji të kolesterolit, përfshirë disa terapi që përdoren edhe sot për trajtimin e yndyrave të larta në gjak. /Telegrafi/
