Massimiliano Allegri ka folur hapur pas dështimit të Milanit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, pasi “Rossonerët” e mbyllën sezonin në vendin e pestë në Serie A dhe u mundën 2-1 nga Cagliari në javën e fundit.
Tekniku italian pranoi se skuadra e tij gaboi në momentet vendimtare, sidomos pas golit të epërsisë.
“Pasi shënuam, u relaksuam dhe mbrojtëm shumë keq si skuadër. Nuk mund t’u bëj asnjë qortim lojtarëve – ne bëmë maksimumin absolut për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve”.
“Tani jam i zhgënjyer dhe i zemëruar. Na shpëtoi Liga e Kampionëve. Pasi e përmbysëm ndeshjen ndaj Genoas, askush nuk e priste që në fund të mbeteshim jashtë dhe ta shikonim nga jashtë”.
Sipas Allegrit, Milani duhet ta pranojë realitetin, por me shumë hidhërim, ndërsa përsëri mbrojti lojtarët e tij.
“Duhet ta pranojmë verdiktin e dhënë në fushë me shumë hidhërim. Nuk mund t’i fajësoj lojtarët për asgjë – ata dhanë gjithçka që kishin në fushë”.
Kur u pyet për arsyet e këtij dështimi, trajneri i Milanit pranoi se nuk ka një përgjigje të qartë dhe se përgjegjësia është kolektive.
“Është e vështirë të gjesh një arsye të vetme: Nuk e di. Unë bëra diçka gabim dhe të gjithë bëmë diçka gabim së bashku. U përpoqëm ta ndryshonim situatën”.
“Kur e humb kualifikimin për Ligën e Kampionëve në javën e fundit, të detyron një vlerësim negativ të të gjithë sezonit. Mendoj se duhet ta vlerësojmë të gjithë fushatën me shumë qetësi”, përfundoi ai për DAZN.
Ndërkohë, përpos Romës edhe befasia e sezonit, Como e siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/
