Një zhvillim me rëndësi të veçantë për biodiversitetin shqiptar është raportuar më 8 dhjetor 2025, në faqen “Regjistri Elektronik i Specieve Shqiptare”, ku janë evidentuar dy individë të dyshuar të shqiponjës së detit (Haliaeetus albicilla) në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Vrojtimi është bërë nga Steffen Tanzer dhe shoqërohet me një fotografi, e cila megjithëse me cilësi të dobët, ka ngjallur interes të madh tek njohësit e faunës. Sipas analizës së bërë nga specialistë dhe dashamirë të ornitologjisë, elemente si sqepi i rëndë dhe proporcionalisht i madh, si dhe ngjyra në nuanca blu, karakteristike për individët juvenilë të këtij lloji, rrisin ndjeshëm gjasat që bëhet fjalë pikërisht për shqiponjën e detit.
Të dhënat historike tregojnë se shqiponja e detit ka qenë e pranishme në Shqipëri që nga gjysma e parë e shekullit XIX, duke u konsideruar një shpend i zakonshëm përgjatë vijës bregdetare. Në fillim të shekullit XX, raportimet tregojnë një rënie të popullatës, por ende jo zhdukje, me prani të evidentuar në Liqenin e Maliqit, Prespë, Shkodër, Butrint dhe zona të ndryshme bregdetare e malore.
Sipas burimeve historike, ky lloj ka qenë folezues në Shqipëri deri në vitet ’80, ndërsa çifti i fundit i njohur ka qenë ai i zonës Divjakë-Karavasta. Vrojtimi i fundit i konfirmuar mendohet të ketë ndodhur rreth 25 vjet më parë.
Haliaeetus albicilla
Ky raportim i ri po shihet si një shpresë e madhe për rikthimin e shqiponjës së detit në Shqipëri, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se numri i çifteve folezuese të këtij lloji është në rritje në vendet e rajonit dhe se për mbrojtjen e tij po zhvillohet një punë e konsiderueshme ruajtëse.
Ekspertët theksojnë se rritja e popullatës në rajon rrit ndjeshëm mundësinë që shqiponja e detit të rikthehet si folezues i qëndrueshëm në Shqipëri, çka do të përbënte një lajm jashtëzakonisht të gëzueshëm për natyrën dhe trashëgiminë natyrore të vendit.