Zgjidhja e qetë e problemeve është një nga mësimet më të rëndësishme jetësore për fëmijët
Askush nuk i pëlqen zënkat, e më së paku fëmijët që shpesh janë dëshmitarë të konflikteve mes prindërve. Por, meqë një lidhje pa mosmarrëveshje të herëpashershme është pothuajse e paimagjinueshme, pyetja kryesore nuk është nëse prindërit do të zihen ndonjëherë, por si e bëjnë këtë.
Psikologët thonë se mënyra se si prindërit i menaxhojnë konfliktet ka ndikim të thellë në mirëqenien e fëmijëve. Ndërsa zënkat destruktive mund të lënë pasoja afatgjata emocionale, prania e një modeli të shëndetshëm për zgjidhjen e problemeve është një nga mësimet më të vlefshme që fëmijët mund të marrin.
Si ndikojnë te fëmijët zënkat e zhurmshme dhe fyese?
Kur konfliktet mes prindërve janë të shpeshta, të zhurmshme dhe armiqësore, ato bëhen destruktive. Kjo përfshin britma, fyerje të rënda, kërcënime për largim, agresion fizik, por edhe sjellje pasive-agresive si injorimi apo heshtja për ditë të tëra.
Një ambient i tillë cenon atë që është më e rëndësishmja për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës: ndjenjën e sigurisë emocionale.
Fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj atmosferës në shtëpi. Edhe foshnjat vetëm gjashtëmuajshe tregojnë shenja stresi kur prindërit janë në konflikt. Në planin afatgjatë, fëmijët që rriten në ambiente me konflikte të mëdha dhe të vazhdueshme kanë rrezik më të lartë për zhvillimin e ankthit, depresionit dhe problemeve në sjellje.
Shqetësimin e tyre mund ta shfaqin përmes agresivitetit, mosbindjes, tërheqjes në vetvete, trishtimit dhe vetëbesimit të ulët.
Përveç pasojave emocionale, stresi kronik ndikon edhe në funksionet njohëse, duke sjellë probleme me përqendrimin dhe suksesin në shkollë.
Veçanërisht të dëmshme janë zënkat që lidhen drejtpërdrejt me vetë fëmijën – sjelljen e tij, notat apo obligimet. Në këto raste, fëmijët shpesh fajësojnë veten dhe marrin mbi supe barrë emocionale për të cilën nuk janë as përgjegjës e as të gatshëm, transmeton Telegrafi.
Zgjidhini mosmarrëveshjet me qetësi
Nga ana tjetër, jo çdo zënkë është domosdoshmërisht e keqe, edhe pse më e mira do të ishte të shmangej. Kur prindërit arrijnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë të qetë dhe konstruktive, ata u japin fëmijëve një model shumë të vlefshëm për të ardhmen.
Kur një fëmijë sheh se prindërit nuk pajtohen për diçka, por bisedojnë me respekt, dëgjojnë njëri-tjetrin dhe në fund gjejnë kompromis, ai mëson disa gjëra thelbësore.
Së pari, kupton se konflikti nuk do të thotë fund i dashurisë dhe se është normale të ekzistojnë mendime të ndryshme.
Së dyti, mëson aftësi të shëndetshme komunikimi, negocimi dhe zgjidhjeje problemesh, të cilat më vonë do t’i përdorë në marrëdhëniet miqësore dhe dashurore.
Dhe në fund, kur sheh pajtimin – një përqafim, puthje apo një aktivitet të përbashkët – ndjenja e sigurisë forcohet, sepse e kupton se familja vazhdon të mbetet stabile.
Rregullat e një zënke konstruktive para fëmijëve
Të jesh shembull i mirë nuk do të thotë të jesh i përkryer, por të jesh i vetëdijshëm për sjelljen tënde.
Nëse mosmarrëveshja ndodh para fëmijëve, disa rregulla mund të ndihmojnë që ajo të mbetet brenda kufijve konstruktivë.
Hapi i parë është kontrolli i tonit të zërit – britmat dhe zëri i zemëruar nga fëmijët perceptohen si kërcënim.
Bisedoni me empati dhe respekt, duke i treguar partnerit se e dëgjoni dhe e kuptoni anën e tij të tregimit, edhe kur nuk pajtoheni me të.
Çfarë duhet bërë pas konfliktit?
Nëse debati është bërë më i ashpër sesa e kishit planifikuar, është e rëndësishme t’i drejtoheni fëmijës.
Nuk keni nevojë të hyni në detaje, por mund t’i thoni diçka si:
“Babi dhe mami u grindën pak sepse nuk u pajtuam për një gjë, por mos u shqetëso, e zgjidhëm. Ne ende e duam njëri-tjetrin dhe ti nuk ke asnjë faj.”
Një shpjegim i tillë e largon ndjenjën e fajit nga fëmija dhe i jep qetësinë që i nevojitet.
Tregojuni fëmijëve se konflikti ka përfunduar dhe se harmonia familjare është rikthyer.
Qëllimi nuk është fshehja e konflikteve, sepse kjo është pothuajse e pamundur. Qëllimi është të mësohet mënyra se si të përballohen ato, në mënyrë që të ruhet shëndeti mendor i fëmijëve dhe njëkohësisht ata të mësojnë aftësi të rëndësishme për marrëdhënie të shëndetshme dhe të lumtura në të ardhmen. /Telegrafi/