Bayern Munich ka thyer rekordin historik të golave të Real Madridit të Jose Mourinhos, pasi e mbylli sezonin në Bundesliga me 122 gola, duke e kaluar shifrën 121 që madrilenët e kishin arritur në sezonin 2011/12.
Rekordi u vulos në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku skuadra e Vincent Kompany e mbylli edicionin me fitore bindëse 5-1 ndaj Kolnit.
Në qendër të këtij suksesi ishte Harry Kane, i cili realizoi het-trik dhe e mbylli sezonin me shifra të jashtëzakonshme: 58 gola në 50 ndeshje në të gjitha garat. Në Bundesliga, anglezi shënoi 36 gola, duke lënë dukshëm prapa Erling Haalandin dhe Kylian Mbappén në garën për “Këpucën e Artë”.
Kane e hapi serinë e golave në minutën e 10-të me një volej pas asistimit të Joshua Kimmich, ndërsa pak më vonë e dyfishoi epërsinë me kokë. Kolni reagoi përkohësisht me Said El Malan, por Bayerni nuk e la ndeshjen të komplikohej.
Tom Bischof shënoi golin e tretë me një goditje nga distanca, ndërsa Kane realizoi sërish në minutën e 69-të për ta çuar rezultatin në 4-1. Në fund, Nico Jackson e kompletoi fitoren 5-1 në minutën e 83-të, duke e mbyllur sezonin në mënyrë perfekte.
Kjo ndeshje dhe ky rekord nënvizojnë dominimin e Bayernit në sulm nën drejtimin e Kompanyt. Thyerja e rekordit të Real Madridit të Mourinhos i jep këtij sezoni një vlerë edhe më të madhe historike, përtej vetë titullit./Telegrafi/