Numri i grave në listat për deputetë të partive kryesore në vend, mbetet vetëm pak mbi kuotën gjinore prej 30 për qind, të paraparë me Ligji. Vetëvendosje ka përqindjen më të lartë të grave në listën zgjedhore të 7 qershorit, ndërkohë që Partia Demokratike paraqet nivelin më të ulët të përfaqësimit gjinor.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, për 120 vende deputetësh në Kuvendin e Kosovës garojnë 917 kandidatë, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 gra. Numri i grave në listat për deputete të partive kryesore në Kosovë mbetet vetëm pak mbi kuotën gjinore prej 30 për qind të paraparë me ligj.
Vetëvendosje, në vitin e kaluar kishte 36.36% gra në listë, ndërkohë që sivjet kjo përqindje bie lehtë në 33.64%. Lidhja Demokratike shfaq një lëvizje të vogël pozitive: nga 28.18% gra në vitin 2025, arrin në 29.09% në vitin 2026, edhe pse ende nuk e kalon pragun ligjor. Ndërkohë, Partia Demokratike paraqet nivelin më të ulët të përfaqësimit gjinor. Vitin e kaluar kishte 26.36% gra, ndërsa sivjet përqindja bie në 23.38, duke treguar regres në përfshirjen e grave në politikë.
Sfiduese për gratë në listat zgjedhore mbetet edhe renditja e tyre në lista, të cilat vazhdojnë të dominohen nga burrat. Vetëvendosje në dhjetëshen e parë ka vetëm katër gra kandidate, Lidhja Demokratike ka pesë, ndërsa Partia Demokratike vetëm dy kandidate gra.
“Mesatarisht një kandidat shpenzon rreth 12 mijë euro për fushatën zgjedhore, por që këto shuma kanë shku deri në 30 mijë e më shumë për shkak të prezencës digjitale dhe prezencës në media, ose takimeve. Ka kosto të madhe për transport dhe shpenzimet po vijnë çdo ditë e më shumë duke u rritur”, tha Albert Krasniqi nga Demokraci Plus.
Ndërkohë, me qëllim të minimit të zërit politik, gratë deputetet përballen me një nivel të lartë të dhunës virtuale dhe sulmeve mizogjene, situatë kjo që reflekton një klimë të tensionuar politike, ku gratë në politikë shpesh janë ndër objektivat më të shpeshta të sulmeve të ndryshme. Kjo mbetet një nga arsyet e hezitimit të grave në gara politike.
“Dhuna online, ambienti shumë toksik dhe gjuha e urrejtjes se si turma e sheh një kandidat burrë në krahasim me një kandidate grua”, shtoi Krasniqi.
Pavarësisht përparimeve të vogla në përfaqësimin gjinor, përfaqësimi i grave në politikë vazhdon të mbetet më shumë një sfidë strukturore sesa një barazi reale në garën zgjedhore./RTK