Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime në zgjedhjet e 7 qershorit.
Nga shorti i organizuar nga KQZ përcaktohen numrat me të cilët partitë politike do të garojnë në zgjedhjet parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit do ta ketë numrin 116.
LVV në një postim në Facebook shkruan se ky është numër i fitores.
“116 është numri i fitores në zgjedhjet e 7 qershorit”, thuhet në postim.
Partia Demokratike e Kosovës numrin në zgjedhjet e 7 qershorit do ta ketë 125.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka shkruar se është koha që Kosovës t’i kthehet serioziteti, puna dhe besimi.
“125 – për të gjithë ata që ende besojnë se Kosova bëhet me urtësi, me punë e dinjitet; për ta kthyer vendin te serioziteti dhe besimi”, ka shkruar Hamza.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se 113 do të jetë numri me të cilën kjo parti do të garojë në zgjedhje.
Kryetari i kësaj partie në një postim në Facebook shkruan se ky numër është i bashkimit dhe ringritjes.
“Ky është numri ynë. Numri i bashkimit. Numri i ringritjes. Numri i Republikës që beson sërish. Më 7 qershor, me zemër, me besim, me LDK-në”, shkruan Abdixhiku.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se numri i saj në zgjedhje do të jetë 128.
“Me numrin 128 dhe kandidatin tonë për Kryeministër, Ardian Gjini”, shkruan AAK në Facebook. /Telegrafi/