Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj njëherit edhe zv.ministër në detyrë në Ministrinë e Financave, Hysni Mehani është deklaruar për incidentin që, sipas tij, ka ndodhur të enjten më 14 maj 2026 në Skenderaj dhe ku është përfshirë kryetari i komunës, Sami Lushtaku.
Mehani ka folur pas lirimit nga spitali, në një intervistë për RTV Dukagjinin.
“Nëse po i thotë vetit burrë, asi burri primitiv, atëherë kur e bën aktin duhet me pranu. Pra, unë e pash postimin e tij dhe dorën në zemër është një qyqar, pasi duhet ta pranoj që e ka bërë veprën për këto arsye”, ka deklaruar ai.
Duke treguar për rrethanat, Mehani tha se ndodhej në një kafene në shoqëri të deputetes Arjeta Fejza dhe disa personave të tjerë.
“Ishim në një kafe me deputeten Arjeta Fejza… Kemi qenë pesë persona, tri gra dhe dy burra. Zonja Fejza po më thotë se po e shoh Sami Lushtakun, por unë nuk e kam kthyer kokën mbrapa, pasi ishim buzë rrugës”, ka thënë Mehani.
Ai shtoi se kishte menduar se Lushtaku do të vazhdonte rrugën dhe do të hynte në lokal, por pretendon se aty ka ndodhur sulmi.
“Mendova se ai do të vazhdonte rrugën dhe hyn në lokal për të pirë kafen. Unë kam qenë ulur dhe zotëri Lushtaku më tha: ‘…ke thanë’ dhe më ka goditur me telefon në kokë, mandej më ka goditur edhe me një mjet tjetër, më pas kanë filluar sulmet…”, ka deklaruar Mehani.
Deri në momentin e publikimit, nuk ka një reagim të ri nga Sami Lushtaku lidhur me deklaratat e Mehanit, ndërsa organet kompetente nuk kanë bërë të ditur detaje shtesë për ecurinë e rastit. /Telegrafi/