Volodymyr Zelensky njoftoi të premten se sulmi raketor rus ndaj një ndërtese banimi në Kiev, i kryer një ditë më parë, ka shkaktuar 24 viktima, mes tyre edhe tre fëmijë.
Sipas presidentit ukrainas, ekipet e emergjencës kanë përfunduar operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në rrënojat e ndërtesës pas më shumë se 24 orësh punë intensive.
Ai e bëri publik këtë informacion përmes platformës X. Raketa goditi një bllok banimi nëntëkatësh, ndërsa forcat ajrore ukrainase e cilësuan sulmin si bombardimin më të madh ajror rus ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë.
Sulmi u përqendrua kryesisht në kryeqytetin Kiev, ku autoritetet raportuan edhe 48 të plagosur, përfshirë dy fëmijë. Rusia ka shtuar intensitetin e sulmeve ajrore ndaj Ukrainës pas armëpushimit të përkohshëm të 9–11 majit, të cilin presidenti amerikan Donald Trump tha se ua kishte kërkuar si Zelenskyt ashtu edhe presidentit rus, Vladimir Putin ta respektonin. Megjithatë, luftime me intensitet më të ulët vijuan edhe gjatë asaj periudhe 72-orëshe.
Këto zhvillime bien ndesh me deklaratat e fundit të Trumpit dhe Putinit, të cilët kishin lënë të kuptohej se lufta, tashmë në vitin e saj të pestë, mund të ishte pranë përfundimit.
Ndërkohë, Zelensky njoftoi gjithashtu se Ukraina ka kthyer në atdhe 205 ushtarë të forcave të armatosura që ishin në robëri ruse, në kuadër të fazës së parë të një shkëmbimi më të gjerë të të burgosurve të luftës.
Ky shkëmbim është pjesë e marrëveshjes së arritur gjatë armëpushimit treditor mes Moskës dhe Kievit, sipas së cilës palët kanë rënë dakord të këmbejnë nga 1000 të burgosur lufte secila. /Telegrafi/