Trajneri i Aston Villas, Unai Emery e ka përshkruar huazimin e Harvey Elliott nga Liverpooli si “të turpshëm për të gjithë të përfshirët” për shkak të kohës jashtëzakonisht të kufizuar të lojës së mesfushorit.
Mesfushori sulmues anglez ka bërë vetëm katër paraqitje në Ligën Premier për klubin e Birminghamit në formë huazimi këtë sezon.
Nëse 23-vjeçari do të ishte shfaqur në dhjetë ndeshje në ligë për Aston Villan, një klauzolë transferimi e përhershme me vlerë 40 milionë euro do të ishte aktivizuar automatikisht.
Përpara ndeshjes së nesërme me Liverpoolin, Emery shprehu keqardhje për të gjithë këtë ngjarje në një konferencë për shtyp.
“Është një situatë e sikletshme për të gjithë të përfshirët. Më vjen keq për Harvey Elliott çdo ditë”, ka thënë fillimisht Emery.
“Por është çështje përgjegjësie. Ne kemi përgjegjësinë tonë dhe Liverpooli ka të vetën”.
“Në një nivel njerëzor, mënyra se si është zhvilluar sezoni ka qenë e vështirë për të”, përfundoi trajneri i Aston Villas. /Telegrafi/