Drake ka prekur fansat me një zbulim të dhimbshëm në projektin e tij më të ri muzikor.
Reperi kanadez tregoi se babai i tij, Dennis Graham, po lufton me kancerin dhe ndodhet në fazat e fundit të sëmundjes.
Artisti 39-vjeçar publikoi së fundmi tre albume të reja, mes tyre Iceman, ku në këngën hapëse “Make Them Cry” ai flet hapur për betejën e familjes së tij, shkruan DailyMail.
“Babai im ka kancer tani, po luftojmë me fazat e fundit”, dëgjohet të thotë Drake në tekstin e këngës, duke shtuar se kjo është një nga sfidat më të vështira me të cilat është përballur ndonjëherë.
Në vargje të tjera, reperi reflekton edhe për kalimin e kohës dhe prindërit e tij, duke thënë se tani i sheh si “një çift i moshuar”, ndërsa pranon se edhe vetë po përballet me frikën e plakjes teksa i afrohet të 40-ave.
Dennis Graham nuk është i panjohur për industrinë muzikore. Ai ka qenë baterist dhe ka performuar dikur me Jerry Lee Lewis, ndërsa marrëdhënia e tij me Drake është komentuar shpesh publikisht.
Të dy kanë treguar në intervista se muzika ka qenë gjithmonë pika që i ka lidhur më shumë.
Publikimi i albumeve të reja vjen tre vite pas projektit të fundit të Drake, For All The Dogs, të publikuar në vitin 2023. /Telegrafi/