Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, ka komentuar vendimin për ta lënë jashtë listës së Kombëtares për Kupën e Botës 2026 mesfushorin e Real Madridit, Eduardo Camavinga, si dhe portierin e Paris Saint-Germain, Lucas Chevalier.
Duke folur për Camavingan, Deschamps theksoi se sezoni i tij është komplikuar nga dëmtimet dhe pranoi se lojtari do ta përjetojë me zhgënjim këtë vendim.
“Camavinga po e mbyll një sezon të vështirë, në të cilin ka luajtur pak për shkak të dëmtimeve. Ai është ende shumë i ri”.
“Më duhet të bëj zgjedhje dhe të ndërtoj strukturën e skuadrës. Por mund ta imagjinoj sa i zhgënjyer është sot”, deklaroi Deschamps.
Trajneri francez e bëri edhe më të qartë arsyetimin e tij në konferencë për shtyp, duke theksuar se konkurrenca për pozicionin është shumë e fortë.
“Sezoni i tij i kushtoi vendin. Edhe dëmtimet gjithashtu. Dhe konkurrenca për pozicionin është shumë e fortë. Cama është mes atyre që janë të zhgënjyer. Ai është ende i ri. Ai ishte këtu në mars”.
“Nuk dyshoj për atë që është i aftë të bëjë. Por sot, ai ka çdo të drejtë të jetë i mërzitur me mua. E kuptoj”, vazhdoi përzgjedhësi.
Sa i përket portierit Lucas Chevalier, Deschamps shpjegoi se roli i portierit të tretë ka specifika të veçanta, ndërsa vlerësoi Robin Risser për entuziazmin dhe sezonin e fortë që ka zhvilluar, faktorë që kanë ndikuar në zgjedhjen përfundimtare. /Telegrafi/