Roja Bregdetare amerikan ka njoftuar sot se ka kapur tre anije të dyshuara për kontrabandë droge, të cilat transportonin kokainë në Detin e Karaibeve pranë Kolumbisë, dhe ka sekuestruar narkotikë me vlerë gati 45.8 milionë dollarë (39.2 milionë euro).
Operacioni është kryer më 8 maj, rreth 145 kilometra larg qytetit kolumbian Cartagena, thuhet në njoftimin e Rojës Bregdetare.
Zyrtarët thanë se anijet transportonin 2.760 kilogramë kokainë.
“Ky sekuestrim përfaqëson 2.3 milionë doza potencialisht vdekjeprurëse kokainë që nuk do të arrijnë në rrugët amerikane”, thuhet në deklaratë.
Roja Bregdetare njoftoi se anija “Tahoma” ka lëshuar dy mjete më të vogla lundruese dhe një ekip me helikopter për të interceptuar njëkohësisht të tre anijet.
Një nga anijet e dyshuara për kontrabandë thuhet se ka tentuar të largohet dhe ka injoruar urdhrat për ndalim.
Më pas, pjesëtarët e Rojës Bregdetare përdorën masa paralajmëruese, përfshirë të shtëna snajperi ndaj motorëve të anijes, për ta ndalur dhe neutralizuar atë.
“Interceptimi i njëkohshëm i tre mjeteve është dëshmi e profesionalizmit të palëkundur, saktësisë dhe përkushtimit të ekuipazheve tona”, tha komandanti Nolan Cuevas, komandant i anijes Tahoma.
Operacioni u përshëndet edhe nga Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM). /Telegrafi/