Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se nuk kontakton më me të huajt të cilët, siç thotë ai, i dëshirojnë të keqen Serbisë. Në këtë kontekst, ai përmendi Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
“E shihni, kam pushuar së foluri për Marta Kosin. Nuk do të them asnjë fjalë për të”, tha Vuçiq.
Komentit të të pranishmëve se ai duhet të flasë ende me të, duke qenë se është Presidenti i Serbisë dhe Kos është Komisioneri i BE-së përgjegjës për zgjerimin, Vuçiq iu përgjigj:
“Për çfarë tjetër duhet të flas? Për çfarë po bëjnë miqtë e mi? Për çfarë duhet të flas me ata që gënjejnë për Serbinë? Për çfarë duhet të flas?”, tha ai.
Vuçiq më pas komentoi mbi festimin e Ditës së Evropës, i cili u mbajt të premten në Shtëpinë Evropiane, si dhe para ambienteve të BE-së.
“Nuk kam parë një grumbullim kaq të madh bllokuesish… Kishte kaq shumë prej tyre. Por për fat të mirë, edhe tanët ishin atje… Shikoni se si Bashkimi Evropian po i mbledh të gjithë në një vend. Unë isha i vetmi që mungonte… Nuk e di nëse mora ftesë. Mendoj se mora, por nuk munda të vija, kisha një punë shumë të rëndësishme. Mendoj se do të jem atje vitin tjetër”, komentoi Presidenti serb.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, do ta realizojë vizitën e saj të parë në Kosovë të premten, më 15 maj./KP