Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se duke filluar nga data 12 maj 2026 do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për vizitat tek pacientët e shtrirë, me qëllim rritjen e sigurisë për pacientët dhe stafin shëndetësor, parandalimin e përhapjes së infeksioneve brenda ambienteve spitalore dhe krijimin e qetësisë së nevojshme për trajtim e pushim.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, spitali ka theksuar se masat po ndërmerren për shkak të frekuentimit të madh dhe lëvizjeve të pakontrolluara brenda institucionit, të cilat, sipas spitalit, rrisin rrezikun e infeksioneve dhe e pengojnë procesin e trajtimit.
“Me qëllim të rritjes së sigurisë për pacientët dhe stafin shëndetësor, parandalimit të përhapjes së infeksioneve brenda ambienteve spitalore, krijimit të qetësisë së nevojshme për trajtim dhe pushim të pacientëve, si dhe për të mundësuar mbarëvajtjen më efikase të punës në repartet spitalore, do të ndryshojë mënyra e realizimit të vizitave tek pacientët”, thuhet në njoftim.
Sipas spitalit, hyrja e vizitorëve do të lejohet vetëm nga një hyrje.
“Hyrja në spital për vizitorët do të bëhet vetëm nga një hyrje dhe atë hyrja e Bllokut Kirurgjik”, ka njoftuar Spitali i Përgjithshëm i Pejës.
Po ashtu, është bërë e ditur se vizitat tek pacientët e shtrirë do të lejohen vetëm në një interval të caktuar kohor.
“Vizitat tek pacientët e shtrirë lejohen vetëm nga ora 13:00 deri në ora 14:00”, thuhet më tej.
Ndër rregullat e reja, spitali ka sqaruar se secilit pacient do t’i lejohet vetëm një përcjellës, ndërsa dalja e përcjellësit për furnizime apo nevoja të tjera do të lejohet vetëm në këto intervale: 08:00–09:00, 13:00–14:00 dhe 18:00–19:00.
Spitali ka njoftuar gjithashtu se përcjellësi do të pajiset me bexh identifikues dhe do të jetë i obliguar ta bartë atë gjatë hyrje-daljeve në spital. Ndërkohë, lëvizja jashtë orarit të vizitave dhe jashtë intervaleve të paraparë për furnizime nuk do të lejohet.
“Lëvizja jashtë orarit të vizitave dhe jashtë orarit të paraparë për furnizime nuk do të lejohet dhe dera do të jetë e mbyllur”, thuhet në njoftim.
Në fund, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke theksuar se masat synojnë mbrojtjen e shëndetit dhe ofrimin e kujdesit më të mirë për pacientët. /Telegrafi/