Nisma Socialdemokrate është sërish përballë një vendimi të rëndësishëm para Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme të 7 qershorit 2026, në një situatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur partia e drejtuar nga Fatmir Limaj tentoi deri në momentet e fundit të bëhej pjesë e listës së përbashkët me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), por pa arritur marrëveshje.
Limaj deklaroi mbrëmë në emisionin “Debat Plus” se, sipas tij, ekziston ende vullnet politik për bashkëpunim dhe ndërtim të një liste të përbashkët për zgjedhjet e 7 qershorit, duke aluduar në mundësinë e bashkëpunimit me PDK-në.
“Ka qenë vullnet edhe në zgjedhjet e dhjetorit, është një vullnet edhe sot. Jemi të interesuar që të ndërtojmë një listë të përbashkët, për atë që folëm më herët – për ndryshimin e qeverisjes. Sot është luks me u marrë me njëri-tjetrin, kur po themi që Kosova është në rrugën e keqe. Nëse Kosova është në rrugën e keqe, dhe të gjithë po besoj që është në rrugën e keqe, është koha të bashkohemi. Të maksimalizojmë vullnetin e atyre që besojmë si ne. Dhe të mos lejojmë me u bë më keq Kosova”, ka thënë Limaj.
Megjithatë, nga brenda PDK-së ka zëra skeptikë për një bashkëpunim të tillë.
Kryetari i Degës së PDK-së në Malishevë, Mevludin Mazreku, ka deklaruar për Telegrafin se Nisma Socialdemokrate, sipas tij, e ka dëmtuar PDK-në si në nivel lokal ashtu edhe në atë të përgjithshëm që nga viti 2013.
“Ne e kemi përcjellë situatën. Dega e PDK-së është dega që është sfiduar më së shumti në raport me subjektin e Nismës. Goditjet që i kemi pasur vazhdimisht prej 2013-ës deri tash, elektorati e ka ruajtur votën e PDK-së në Malishevë. Kështu që çdo përafrim, ne e kemi pasur problem me i bërë përafrime të tilla me ta. Është e vërtetë që këta kanë bërë përpjekje direkte, në forma të ndryshme, qoftë edhe në nivel qendror dhe me eksponentë të ndryshëm edhe brenda PDK-së, por ajo ana zyrtare – ne nuk e kemi diskutuar seriozisht këtë pikë”, ka thënë Mazreku.
Foto: Mevludin Mazreku, kryetari i Degës së PDK-së në Malishevë
Ai ka shtuar se dega e PDK-së në Malishevë mban komunikim të rregullt me qendrën e partisë, por, sipas tij, veprimet e Nismës ndër vite nuk kanë dhënë sinjale për një përafrim të qëndrueshëm.
“Është e rëndësishme që raportet në nivelin qendror të PDK-së i kemi raporte të shkëlqyeshme dhe çdo veprim që e bëjmë e kemi një koordinim korrekt me ta. Pa dyshim që edhe si degë, si strukturë e degës dhe si kryesi i kemi shqyrtuar këto. Veprimet që ata i kanë bërë, kanë qenë veprime që nuk kanë dhënë sinjale që me pas një përafrim”, ka deklaruar ai.
Mazreku ka përmendur edhe bashkëpunimin e Nismës me LDK-në në Malishevë, duke thënë se kjo, sipas tij, e bën edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.
“Rastin e kemi konkret në zgjedhjet e fundit lokale, që ata kanë pasur mundësi me bërë një lloj bashkëqeverisjeje në nivelin lokal, ata përkundrazi – jo që s’kanë dhënë sinjale hiç, por e kanë bërë koalicionin me LDK-në. Domethënë, ata kanë dhënë sinjale që shkojnë kah subjekte tjera e jo kah PDK-ja”, ka theksuar Mazreku.
Ai ka shtuar se, sipas tij, Nisma e ka ngritur këtë çështje kryesisht në prag zgjedhjesh.
“Jo që ne kemi pritur me bë një veprim të tillë, por faktin ata është dashur me dëshmu… Dhe kjo, të them të drejtën, nuk na ka bërë neve që të marrim hapa të tillë. Edhe pse ata, veç kur po janë zgjedhjet – edhe zgjedhjet e fundit, edhe në këto zgjedhje tash – ata po e iniciojnë këtë çështje, jo ne”, ka deklaruar ai.
Në fund, Mazreku tha se për Degën e PDK-së në Malishevë një marrëveshje me Nismën mbetet e vështirë, ndërsa shtoi se aktualisht nuk ka diçka konkrete.
“Për neve si degë është më sfiduese. Ne e kemi vuajtur më shumë. Nisma e ka dëmtuar PDK-në edhe në nivel të përgjithshëm, por për Degën në Malishevë nuk e kemi parë të arsyeshme me hy në biseda. Është insistimi i tyre që të na bashkohen në këto zgjedhje, andaj ende nuk ka diçka konkrete”, ka përfunduar ai.
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pak ditë më parë ia ka mbyllur derën mundësisë për përfshirjen e kryetarit të Nsimsës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në listë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Vlen të ceket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Nisma Socialdemokrate nuk ka aplikuar për t’u regjistruar në këto zgjedhje. /Telegrafi/