Policia spanjolle ka realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë e Evropës, duke konfiskuar rreth 30 tonë drogë nga një anije pranë Ishujve Kanarie dhe duke arrestuar 23 anëtarët e ekuipazhit, të cilët janë lënë në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, raportoi Reuters duke iu referuar Gjykatës së Lartë të Spanjës.
Anija “Arconian”, e regjistruar nën flamurin e Ishujve Komore, u ndalua nga njësia policore “Guardia Civil” më 1 maj. Sipas autoriteteve, ngarkesa e sekuestruar kap vlerën mbi 812 milionë euro.
Ky operacion tejkalon rekordin e mëparshëm evropian prej 25 tonësh kokainë të kapura në portin e Hamburgut në vitin 2024, si dhe është më shumë se dyfishi i rekordit të mëparshëm në Spanjë, ku vitin e kaluar u zbuluan 13 tonë kokainë të fshehura në një ngarkesë me banane nga Ekuadori në Algeciras.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe holandeze, ndërsa policia pritet të publikojë më shumë detaje të premten.
Sipas hetuesve, droga kishte për destinacion transferimin në det drejt skafeve të shpejta, për t’u futur më pas kontrabandë në territorin spanjoll. Gjatë kontrollit në anije janë gjetur armë zjarri dhe municion,
ndërsa gjashtë persona të ekuipazhit u zbuluan të fshehur në bord.
Nga 23 të arrestuarit, 17 janë shtetas filipinas, ndërsa gjashtë të tjerët, të cilët po fshiheshin në anije, janë nga Holanda dhe Surinami.
Gjykata ka vendosur që të gjithë të dyshuarit të mbeten në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht, duke theksuar seriozitetin e veprave penale, rrezikun e arratisjes dhe mundësinë e vazhdimit të aktiviteteve kriminale gjatë zhvillimit të hetimeve. /Telegrafi/