Honda ka vendosur në pauzë projektin gjigant prej 11 miliardë dollarësh (rreth 10.2 miliardë euro) për një fabrikë të automjeteve elektrike dhe baterive në Alliston, pasi kërkesa për vetura elektrike në Amerikën e Veriut nuk po rritet siç ishte parashikuar.
Projekti, i shpallur në vitin 2024, parashikonte investime prej 15 miliardë dollarësh kanadezë (rreth 9.8 miliardë euro) për ndërtimin e një fabrike të re EV dhe një impianti baterish.
Por tani kompania po e “ngrin” planin pa afat, ndërsa rishikon strategjinë e saj për tregun amerikan.
Arsyeja kryesore duket të jetë ndryshimi i preferencave të konsumatorëve në SHBA.
Në vend të veturave plotësisht elektrike, blerësit po orientohen më shumë drejt modeleve hibride, të cilat po shiten shumë më mirë.
Ndërkohë, heqja e subvencioneve federale për EV-të në SHBA dhe lehtësimi i rregullave të efikasitetit kanë ulur presionin mbi prodhuesit për të kaluar shpejt në energji elektrike.
Melanie Joly deklaroi se tarifat amerikane dhe ndryshimet në politikat e SHBA-së po krijojnë presion të madh mbi industrinë automobilistike, duke detyruar kompani të ndryshme të shtyjnë ose zvogëlojnë investimet në projekte elektrike.
Ndërkohë, Honda do të vazhdojë prodhimin e modeleve Honda Civic dhe Honda CR-V në fabrikën ekzistuese në Ontario, por planet për modele të reja elektrike janë reduktuar ndjeshëm. /Telegrafi/